Mittwoch, 19. November 2008

DIELL LIRIE




















III. PËRJETIME

17. KONCERTET E MIA TË PARA
Koncertet e mia të para,
I mbajta në fieri , livadhe e ara,
Në lugina, pllaja, ograja e male,
Ishin audicione, koncerte e festivale...
Këngën e parë e nisa me dele,
Atje në Malësi, në kullosa e zabele...
Publiku i parë – ishin delet e mia,
Gurgullimat e përroskave dhe e gjithë shpenia.
N’ orkestrinën time të parë,
Ishin zilet dhe kambanat,
Blegërimat e qengjave, blegërimat e dhenve –
Një polifoni e koreve të shtazëve dhe shpendëve ...
Me këngët e mia të para –
Qengjat hidhnin valle,
Ndo ‘i ogiç me lara,
Ndo ‘i dele topalle!...
Drejtor festivali – mbi ato rudina,
Ishte një ogiç, dredha-dredha n’ brina.
Në krye t’ kolonës, kopesë seç i printe,
Pas koncerteve t’ mia – n’ kullosa i shtinte.
N’ koncertet e para dhe në festivale –
Mua më vlerësonte Juria Profesionale!
N’ atë Juri – Bilbili , ishte Kryetar,
Me dy kanarina , m’ dhanë Vendin e Parë!
N’ përfundim t’ koncerteve
Dhe nga këto shpërblime;
Nga shumë shpendë të maleve –
Linden reagime!...
Disa qukapikë me sqepa të gjatë –
Nisen aplauzet , n’ lisa duke cokatë...
Lëshonin rafale, si t’ automatikut –
Mos e ndalo këngën, për dhunë të armikut!

Menjëherë pas tyre, reagoi Turreci –
Lum për ty, bilbil, që të ka Tugjeci!
Së bashku me mua, këndonte:"Turrë!Turrë!" –
Vazhdoje – tha – këngën dhe mos e ndal kurrë!
Atje lartë nga nga rrezja,
Nisi këngën Pupëza :
"Pup,pup,pup e pup, pup, pup –
Të shkoftë kënga n’ Shkodër e n’ Shkup!"...
Qyqja e lëshoi Llugën:
"Ku, ku,ku, e ku, ku, ku!"
E kishte humbë rrugën –
S’ dinte kah me shku’?!
Pas kukamës s’ Qyqes,
Reagoi Pëllumbi –
Me koncertet tua,
Do t’ mburret katundi!
Përmbi kokën time –
Ca korba të zi;
Sa fort këngës sime,
Ia kishin zili!
"Krra, krra, krra e krra, krra , krra ,
N’ mujshim për me t’ zënë –
Pak nga pak e me sevda,
Kemi për të ngrënë"!...
N’ ata gurë, bashkë ku jem rritë –
Gjarpërinjtë – gjuhën e kishin qitë:
"Po të zumë – do të helmojmë,
Këngën tënde do ta ndalojmë!"...
Pushoi kënga e festivalet –
Në qetësi, tash, mbeten malet!
Shpezët ikën n’ dhera tjera,
Linden këngë, koncerte tjera!...






18. GJETHET E VJESHTËS
Po i afrohet fundi Tetorit,
Ngjyrë e verdhë i ka rënë oborrit.
Janë zverdhë gjethet, është zverdhë bari,
A thua nga mori rrugë behari?!
Nganjëherë vinin ca shpezë zë-mirë,
Pushonin mbi oborrin tim, si mysafirë!
Me të zverdhur të gjetheve – ata u dëshpëruan,
Shpezët – mysafirë, nuk dijë se nga shkuan?!
Kujtoj pranverën me dhuntitë që sillej –
Njëra lule mbyllej – tjetra lule çelej!
Njëra këngë mbaronte – tjetra këngë fillonte,
Prej ditës në ditë, oborri hijeshonte!
Filizat e pemëve niseshin përpjetë –
Thua se bënin gara – cili do t’ rritet më shpejt?!
Tash përditë po zhvishen pak e nga pak,
Trungjet mbesin zhveshur, si fëmijët bonjak!
Gjethet e qershisë, njëra pas tjetrës bien për tokë,
Si plaku i moshuar, që mbetet çdo ditë pa flokë!
Dhe sa herë më shkojnë sytë kah qershia –
Më kujtohen ditët dhe vitet e mia!
Gjethet e qershisë bien me mija e mija,
Ashtu si që ikën ditët, muajt dhe vitet e mia!
Gjethet dhe gjelbërimi kthehen prapë n’ pranverë,
Por rinia ime, s’ kthehet kurrënjëherë!














19. KTHIMI NË GJIRIN E NXËNËSVE
Më 27 Janar, të vitit 2006-të,
U ktheva tek nxënësit, që aq shumë i kam dashtë!
Atje në kurbet, larg i lash fëmijët ,
N’ shkollën ku punoj, sërish e gjeta ngrohtësinë.
E Premte, ishte ajo ditë,
Nxënësit me padurim më kishin pritë!
Po sa u futa përbrenda rrethoje –
Nxënësit më rrethuan, si bletët në hoje!
Dhjetëra e qindra nxënës, më vërshuan mbi kokë –
Çudi! Si qëndrova pa më rrëzua për tokë?!
Shumë më përqafonin, m’ shtrëngonin për dore,
M’ i ledhatonin rrobat:"Arsimtar, a u lodhe?!"...
Brohoritje t’ larta, turma vjen e shtohet –
Sytë më mbushen lot, trupi më ligështohet !...
"Urime! Urime, i dashuri arsimtar,
Na bëre të lumtur, që na paske ardhë!"
Nëpër korridore dhe shkallëve përpjetë –
Më çojnë para duarve , s’ më lënë n’ tokë me prekë!
"Demiri! Demiri!"- Jehon shkolla e klasat,
S’ di si u përmbajta, s’ di se si nuk plasa!?...
O, Zot i vërtetë, s’ paska ma gëzim,
Kur me qindra nxënës t’ hidhen n’ përqafim!
Dashuri princore, dashuri hyjnore,
Dashuri e ngrohtë që do t’ jetojë prore!
Atje larg n’ kurbet i lash fëmijët e mi –
Këtu në vendlindje i gjeta dymijë...
Atje larg n’ kurbet – ndarje e lot pikëllimi,
Këtu në vendlindje – pritje e këngë gëzimi!...









20. KLASA E VII/3
Kudo nëpër klasa – gëzime dhe hare,
Duartrokitje, brohoritje – kënga deri n’ re!
Por, kur erdhi radha n’ klasën e VII/3,
Befasi e këndshme, si askund ndër ne!...
E mora ditarin, në orë për të shkua,
Kur e hapa derën, sa jam befasua –
Asnjë nxënës në banka, nuk më kishte pritur,
Të gjithë te tabela, n’ rresht ishin radhitur!...
Pranë katedrës , ora ku duhej shënua –
Porsi gardë e nderit, t’ gjithë ishin rreshtua!
T’ gjithë me padurim e prisnin ardhjen time,
T’ gjithë me brohoritje, t’ gjithë me përqafime!
Duartrokitje t’ ngrohta, gëzim i pa parë:
"O, mirë se na erdhe, i dashuri arsimtar!"
Të gjithë të gëzuar, shkëlqejnë si pasqyra,
Der’ sa i përqafova – me lot m’u mbush fytyra!...
Me sa fuqi kishin, ma shtrëngonin dorën –
Nuk mund ta nxjerr lapsin, që ta shënoj orën!
Thash t’ i fshehu lotët, fytyrën e mërdhezë,
Dhe e ktheva kokën kah dërrasa e zezë!...
Kur shikoj tabelën – shoh një mrekulli,
Që nxënësit e kishin bërë, vërtetë për çudi?!
N’ krye të tabelës, shkruan:"E VII/3"-
"O, Demir Krasniqi – mirë se vjen tek ne!"...
"Me gëzim po të presim, ne e VII/3,
Që ta mbajmë muzikën, me gëzim e hare!
O, mirë se na erdhe, arsimtari i jonë –
Ka një muaj ditë, që neve na mungon!"...
"Ti, për ne, ke qenë një arsimtar i mirë –
Ne, kur na mungove – e patëm shumë vështirë!"...
Një yll me gjashtë cepa e kishin vizatuar,
Dhe një sy t’ përlotur, që pret duke shikuar!...
Mu në mes – një pemë me ca kokrra fiqi ,
N’ ato kokrra pemësh , shkruante:"Krasniqi!"...
Në mes të tabelës – dy zemra me dy shigjeta,
Aty figuronin dashuri t’ vërteta!
Në njërën zemër shkruante me gëzim dhe hare:
"O, Demir Krasniqi – Ju do e VII/3!"
"Në moshën e re dhe në moshë të vona –
Gjithmonë do të jeni, Ju, në zemrat tona!"
"Notat, pentagramin, ne kur i mësojmë –
Me Çelësin e Muzikës – në zemra të ngujojmë!"...
N’ hamer, kishin shkrua një parullë të re:
"O, Demir Krasniqi – mirë se vjen tek ne!"
"Këto fjalë e shkrime, na burojnë nga shpirti –
Fitore Maloku, Fiknete Rushiti...
Ilir Ramadani dhe gjithë klasa mbarë –
"Të duam si prindin , i dashuri arsimtar!"...
Pastaj, një pas njërit – tjetrin nuk e pret:
"Arsimtar, si i le fëmijët në kurbet?!
Si i gjete fëmijët edhe si i lave –
A e pate vështirë – prej tyre kur u ndave?!"...
Nga kjo befasi, tërësisht u hutova –
Drejtorin e shkollës, në këtë klasë e ftova!
-Ejani e shikoni mrekullinë e Zotit,
Fjalët nëpër buzë, më uleshin prej lotit!...
Drejtori mbanë fjalë, pedagog i vërtetë:
"Këso befasie, kurrë s’ kam pa në jetë!
Së bashku me Ju, nxënës – ne jemi krenar,
Që në shkollën tonë kem kësi arsimtar!"...
Gjilan, më 02. 02. 2006.
*****
Me rastin e kthimit nga pushimi njëmujor në Francë dhe Gjermani, ku isha në vizitë tek fëmijët e mi, që nga data 19 Dhjetor 2005 e deri më 20 Janar 2006.
Kjo poemë është një realitet, të cilin nuk e kam përjetuar asnjëherë në jetën time dhe as që e kam ëndërruar se do të ndodhë diçka e tillë në mes meje dhe nxënësve të mi!
Prandaj, nuk dita se si ta ruaj nga harresa kujtimin e përjetuar nga nxënësit e mi, deri në frymën e fundit të jetës sime dhe përmes kësaj poeme, desha që këtij kujtimi t’i jap fuqi përjetësie!
Demir Krasniqi
IV. OFSHAMË KURBETI
21. LOTI I NËNËS
Teksti: Shaban Cakolli
Muzika: Demir Krasniqi
Sa lot ka derdhur nëna për mua –
Janë ngri ndër shkrepa, ndër mal e gurë...
Vështirë me pritë ndo ‘i herë me u gëzua,
Se loti i nënës s’ të len t’ qetë kurrë!
Refreni:
Sa male e fusha i kam kalua,
Aq larg vendlindjes, aq larg shtëpisë!...
Me e pas ditë se kam me u pendua –
Një hap jashtë porte s’e kisha nisë!
Veç zemra e nënës mund me e kuptua –
Sa është rropatur n’ rritje të djalit?!
E n’ moshë t’ pleqërisë, pranë mos me i qëllua –
Ndoshta s’ ia gjej as gurët e varrit?!
Refreni:
Sa male e fusha i kam kalua...etj.
22. VENDI I HUAJ
Mallkua qoftë, ai lanet,
Që përqeshë vendin e vet!
Që përqeshë dhe e nënçmon –
Vendin e huaj e lavdëron!
Vendin e huaj, në ma lavdërofshin –
Sorrat eshtrat mos m’i qofshin!
Mallkua qoftë, ai bir i zanës,
Që e përbuzë gjuhën e nënës!
Gjuhën e nënës e nënçmon –
N’ gjuhë të huaj komunikon!
Gjuhën e nënës, kush e harroftë –
Thera – varrin ia mbuloftë!
Mallkua qoftë, ai bir i bushtrës ,
Që turpërohet prej kulturës!
Prej kulturës së vet turpërohet –
N’ kulturë t’ huaj dashurohet!
Kush turpërohet nga kultura –
I huptë emri, ju thaftë lëkura!
23. KOSOVA PO ZBRAZET
N’ katër anët e botës,
Këndej dhe andej deti –
Rininë e Kosovës,
Na i mori kurbeti!
Mbushen plot anie ,
Aeroplanë e trena...
Na ikin rinia –
Nëpër dhera tjera!
Shumë nëna pa sy,
Shumë vatra mbet shkret,
Shumë shtëpi nën dry,
Pa bukë e bereqet!
Nuset – pa dasmorë,
Motrat – pa vëllazëri,
Shumë bankat shkollore
Ngelën pa fëmijë!
Hoxha – pa xhematë,
Këndon tallkin te vorret!
S’ ka kush pret të pamet -
Shkret kanë mbet oborret!
Kosova po zbrazet,
S’ di se kujt po i jet?!
Nënat – lindin djemtë
Për luftëra e kurbet!...





Keine Kommentare: