Samstag, 28. März 2009

shenim i nje ditari

Nga ditari i jetës sime:


SI E MBIJETOVA ATENTATIN NË HOTELIN “KRISTAL” NË GJILAN


Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1989, vit ky , kur Sllobodan Millosheviqi me tanke e suprimoi Autonominë e Kosovës dhe Kushtetutën e vitit 1974, në bazë të së cilës, Kosova ishte element konstituiv i federatës jugosllave.

Për ta mbrojtur këtë suprimim dhe për t’ i bërë “terbije” shqiptarët e pa kënaqur, Millosheviqi kishte dërguar në Kosovë forca të mëdha të njësive speciale policore të përbëra nga të gjashtë ish republikat e federatës jugosllave, si dhe nga dy krahinat autonome.

Pjesëtarët e këtyre njësive speciale , në qytetin e Gjilanit, ishin të vendosura në objektet e hotelit “Kristal”, i cili gjendet viza-vi me ndërtesën e Sekretariait Komunal të Punëve të Brendshme, Milicisë, gjykatave dhe burgut të qarkut të këtij qyteti.

Atë botë, unë isha i angazhuar që të këndoj në këtë hotel, si këngëtar popullor me kontratë dhe me pagesë të mirë mujore, pagesë kjo që bëhej nga shteti.

Në hotelin “Kristal”, programi muzikor fillonte nga ora 20.00 dhe përfundonte në ora 23.45 minuta . Këndohej me program të caktuar sipas dëshirave të këngëtarëve të angazhuar, e jo sipas porosive të mysafirëve, apo “bakshisheve” të adhuruesve.

Programi muzikor ishte i konceptuar zyrtarisht në tri gjuhë kryesore të këtij mjedisi dhe atë: 15 minuta në gjuhën shqipe, 15 minuta në gjuhën serbishte, 15 minuta në gjuhën turke dhe 15 minuta pushim. Në kuadër të atyre 15 minutave të dedikuara për muzikën turke , mund të këndohej edhe ndonjë këngë rome, apo të ndonjë populli tjetër ballkanik.

Kryesisht, ishim të angazhuar 3 këngëtar – solist popullor: një për këngët shqipe, një për këngët serbe dhe një për këngët turke.

Në kohën për të cilën po flasim, për këngët popullore shqipe isha i kontraktuar unë, për këngët në gjuhën serbe ishte e angazhuar një këngëtare serbe nga Nishi, kurse për këngët në gjuhën turke, rome dhe ballkanike, ishte e kontraktuar këngëtarja e mirënjohur universale Arife Beqir Baliqi, nga Shkupi , e cila këndonte në mënyrë fantastike në gjithsejtë 13 gjuhë të ndryshme dhe kishte një zë brilant .

Salla e hotelit, për çdo mbrëmje ishte plot e përplot mysafirë nga të katër anët e Kosovës. Pjesëtarët e njësiteve speciale të policisë jugosllave, herë pas here kalëronin nëpër sallën, korridoret dhe lokalet e këtij hoteli, sa për t’ua bërë me dije qytetarëve shqiptarë se “ne jemi këtu!”

Personeli shërbyes hotelier ishte i përzier shumetnik, ndonëse Drejtori i hotelit dhe shefi i sallës ishin shqiptarë. Në mesin e punëtorëve shankistë të këtij hoteli, ishte një femër flokëbardhë serbe, e cila quhej Goca . Ajo gjatë tërë kohës sa ishte në orar të punës, shihej qartë se ishte një nacionaliste shumë e ngarkuar, e cila dukej se po mundohej që t’ i përmbajë shqiptarët me një lugë !

Unë, përveç që këndoja këngë të ndryshme popullore shqiptare, shumë herë nga kureshtja dhe dëshirat e mysafirëve, e merrja me veti edhe çiftelinë , të cilën e akordoja dhe e kombinoja me orkestrinën popullore, e cila tingëllonte aq bukur, sa bëhej sensacion dhe atmosferë e bujshme në sallën e mysafirëve .

Çiftelia dhe kënga ime, iu kishin bërë helm e vrer në zemër, asaj shankistes serbe të quajtur Goca!

Vetëm tri ditë, para se të ndodhte më e keqja, Goca iu kishte shprehur “në besim” njërit prej kamerierëve të hotelit, duke i thënë kështu:

“Sve, sve...Ali, kad ga qujem ovoga shipca , kako peva i sfira na tu cigulku, meni zhivot mi se gadi , ne mi se zhivi i ne mi se radi!”

“Krejt, krejt... Por , kur po e dëgjoj këtë “shipc”,(kështu na quanin ne shqiptarëve, në shenjë përbuzje e nënçmimi, serbët) se si po këndon dhe si po luan me atë farë “cigulke”(me këtë shprehje ofenduese dhe nënçmuese e quanin instrumentin tonë kombëtar – çiftelinë), mua po më gërditet jeta, nuk po më jetohet dhe nuk po më punohet”!

Kamerieri shqiptar, të cilit Goca ia kishte qarë hallet “në besim”, menjëherë më tregoi mua, se çka po sillet rreth meje , në këtë hotel!

Vetëm tri net, prej asaj bisede në mes të Gocës dhe kamerierit, forcat speciale policore e kishin përgatitur skenarin për likuidimin tim fizik!

Atë natë, si zakonisht, në ora 23.45 minuta, shefi i sallës së hotelit i fiku dritat dhe dha shenj për fajron , me çka edhe muzika pushoi programin. Po sa u fikën dritat, në sallën e hotelit, papritur, u futën 6 policë special të armatosur deri në dhëmbë ! Njëri prej tyre që e drejtonte ekspeditën, bërtiti me një zë të lartë urdhërdhënës:

“Svi ostali muzikanti i gosti vani, a ti sliko stani tamo kod daske mirrno i nemoj da mi se pomeravash!”

“Të gjithë muzikantët tjerë dhe mysafirët – përjashta, ndërsa ti fotografi (aludon tek unë) qëndro atje tek dërrasa gatitu dhe mos më lëviz !”

Mysafirët dhe muzikantët e frikësuar ikën me të shpejt përjashta hotelit, ndërsa brenda mbeta vetëm unë dhe personeli shërbyes i hotelit, të cilët mbetën pa pikë gjaku në fytyrë duke shikuar me habi se çfarë do të ndodhë tani me mua?!

Unë, sipas urdhrit të tyre, u mbështeta për ato tabela të drunjta , të cilat e ndanin sallën e hotelit në një lloj separje të veçantë dhe po pres se çfarë do të ndodhë tani me mua?! Policët special, qëndronin para meje me automatikë të përgatitur për veprim!

Polici i cili e udhëhiqte ekspeditën , mu drejtua mua me një zë të lartë tmerrues :

“Jebali smo ti majku shiptarsku veqeras ! Neqesh vishe u tvom zhivotu , ni da nam pjevash, ni da nam sfirash na tu tvoju cigulku! Veqeras ti je zadnja noq, i oprosti se od ovog zhivota !”

“Ta kemi qi nënën shqiptare sonte ! Në jetën tënde, më nuk do të na këndosh, as të na luash në atë farë cigulken tënde !(Cigulka e quanin me përbuzje çiftelinë, që do të thotë “magjupëz”). Sonte është nata jote e fundit dhe përshëndetu nga kjo jetë!”

Unë, u shtanga në këmbë nga habia, se si mund të më vrisnin pa kurrfarë paralajmërimi, pa kurrfarë vepre dhe pa kurrfarë gjyqi ?!

Mora forcë dhe ju thashë: “Ju, jeni të gjithëfuqishëm ! Keni forcën, ushtrinë, policinë, armatimin dhe shtetin tuaj! Andaj, mund të më vrisni pa asnjë problem, por kjo nuk është trimëri për një shtet, që ta vret një këngëtar në vendin e vet të punës!”

Ata, ma shanin nënën shqiptare pa ndërprerë dhe më thoshin në gjuhën e tyre:”Tash do ta shohësh ti!”

Në atë rrëmujë të pa parë dhe të pa imagjinuar, në kokën time më erdhi një ide budallallëku, të cilën e shfrytëzove si në formë humori, dhe ju thash:

“Ju po më vrisni ! Por , unë kam dëgjuar nga të tjerët se njeriun para se ta ekzekutojnë, ia japin shansin për ta shprehur dëshirën e fundit në jetën e tij! Ju, ndoshta do të ma jepni së pakut këtë mundësi!”

Njëri prej tyre , më shau :”Shihe, shihe! Nënën ja q....sha, ende po di edhe të filozofojë!”

Udhëheqësi i ekspeditës, që turrej më së shumti drejt meje , ju tha kolegëve të tij, si me ironi:

“Pa, hajde t’ a dëgjojmë se çka po llomotitë dhe çfarë dëshire të fundit ka! Ta dëgjojmë dëshirën tënde të fundit!”

Unë, ju thash: “Po unë e di se ju nuk do të ma merrni për serioze, por dëshira ime e fundit, para se të më pushkatoni, është që në shenjë përshëndetje nga kjo botë, të ulemi bashkë dhe t’ u qerasi ma nga një pije, për nderë që do të më vrisni!”

Që të gjithë, u qeshën me ironi dhe si në kor, ma shanë edhe njëherë nënën shqiptare!

Njëri prej tyre, iu tha kolegëve të vet:”Pa, hajde të ulemi dhe t’ ia plotësojmë edhe këtë dëshirë të fundit, në jetën e tij!”

U ulën te të gjashtit rreth një tavoline dhe unë në mesin e tyre. E thirren kamerierin që t’i shërbejnë dhe porositën pijet e preferuara. Kamerieri i solli pijet duke u dridhur si thupra në ujë, nga frika dhe tmerri që pritej të ndodhte atë natë me mua!

Duke i pirë pijet që i porositën, sërish në kokën time, si në budallallëk , më erdhi edhe një ide dhe e pyeta udhëheqësin e ekspeditës:

“Zotëri, po më vjen shumë keq, por në sytë e tu, po e lexoj një vuajtje dhe shqetësim të madh shpirtëror?!”

Polici – udhëheqës i ekspeditës, mu përgjigj :

“Po. Kam shqetësim dhe problem shumë të madh jetësor!”

Unë, i thash: “Po, a mund ta di se për çfarë problemi bëhet fjalë?”

Kryepolici tha:

“Jam martuar qe 12 vjet me një vajzë që e kam dashur shumë dhe e dua shumë! Por, që nga martesa e deri në ditët e sotme, nuk më ka falur Zoti, fëmijë kurrë! Jam shumë i shqetësuar për këtë! Me u nda me gruan, po më dhimbet ! Nuk kam lënë kund mjek, as pop, as hoxhë, as tyrbe, pa kërkuar ilaç për te, por të gjitha kanë përfunduar pa sukses!”

Atëherë, ndërhyra unë:- Ju, i paskëshit sprovuar të gjitha dyert, por vetëm aty ku e keni ilaçin e sigurt, nuk e paskëshit sprovuar! Edhe pse Ju , po më vrisni sonte mua, unë megjithatë, do t’ ua tregoj vendin se ku mund ta gjeni ilaçin e vërtetë dhe të sigurt!

Kryepolici:-“A është kjo e kjo e mundur, që të gjendet ende ndonjë vend ilaçi për mua, e që nuk e kam sprovuar?”

Unë:- Po si jo! Ju, të gjitha dyert i paskëshit sprovuar, por vetëm tek Baba Sheh, nuk paskëshit qenë! Unë, e kam në Prizren një mik shumë të mirë, që është edhe Baba Sheh dhe ai po deshi, vetëm një herë do t’ i fryjë gruas tënde dhe do t’ ia bëjë ato duatë e veta dhe Ju, pas 9 muajsh do të jeni me djalë! Unë, mund t’ ua jap adresën e Tij , edhe pse do të më vrisni, por i tregoni Babës Sheh, se tek Ju, më ka qua Demir Krasniqi!

Kryepolici:- “ A është e mundur kjo?”

Unë: - Me garancion për 9 muaj !

Kryepolici e thirri kamerierin:-“Kamarier ! Të lutëm, na e sjell edhe një rund pije!”

Unë:- Nuk mund të pi më asgjë, sepse po e pres ekzekutimin Tuaj!

Kryepolici:- “Jo! Ti, nuk do të vritesh sonte! Por, nesër unë do ta gjej një veturë dhe do të shkojmë së bashku në Prizren! Sonte shko në shtëpi e pusho , e tani do të shihemi!”

U nisa si i dehur, për të shkua në drejtim të shtëpisë sime, por gjatë tërë rrugës prisja se kur do të më vijnë mbrapa dhe do të më shpojnë plumbat e tyre!

Që nga ajo natë, më kurrë nuk e kam pa atë polic, por nga disa njerëz kam arritur që të mësoj vetëm atë, se ai kishte qenë nga fshati Partesh i Gjilanit, por që askush nuk ia dinte emrin dhe mbiemrin!

Kështu e mbijetova këtë atentat, duke i përdorur trikat e “Babës Sheh” dhe kjo fatmirësisht , ndezi për të mirë dhe shpëtim nga vrasja e sigurt !


Demir KRASNIQI

Freitag, 27. März 2009

ETNOMUZIKOLOGJI



Etnomuzikologji

FILLET E AMATORIZMIT MUZIKOR NË MALËSINË E GOLLAKUT

Nga Demir KRASNIQI

Në Malësinë e Gollakut , edhe përkundër rrethanave të pafavorshme për jetesë , përndjekjet e vazhdueshme dhe harresën nga pushtetet e deritashme , folklori burimor popullor, si njëra nga veçoritë e kulturës shqiptare , është zhvilluar dhe ruajtur në mënyrën më origjinale , që nga lashtësia , duke i qëndruar besnik traditës sonë kulturore të trashëguar nëpër shekuj , me një kthjelltësi të pastër , pa ndikime nga folklori dhe kultura e importuar .
Në këtë krahinë kanë lindur , janë rritur dhe kanë vepruar shumë talentë , krijues, interpretë , humoristë , instrumentistë popullor , të cilët në amfiteatrin popullor të odave , gazmendeve , ahengjeve dhe tubimeve të ndryshme popullore , kanë shënuar deri në piedestal artin e krijuar nga shpirti i popullit , i cili në historinë e kulturës sonë kombëtare do të jetë një thesar i çmuar për shumë breza që do të vijnë në vazhdimësi .
Për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, të infrastrukturës dhe të shkollimit adekuat , talentët e rrallë të këtyre trevave , të ngulfatur nga izolimi shekullor dhe varfëria , nuk kanë pasur mundësi që të pajisen me instrumente muzikore të fabrikuara , por ata fillimisht kanë kënduar pa shoqërim me instrumente muzikore, në stilin e ashtuquajtur:”me gisht në vesh”, e më vonë kanë kënduar me shoqërim të instrumenteve tradicionale , të cilat i kanë përpunuar ata vet, si: fyelli i bariut, kavalli, mezhnica (gajdeja), çiftelia, sharkia , surlja, defi dhe tupani.

Përpunuesit dhe interpretuesit e veglave burimore muzikore

Artizanati i përpunimit të veglave popullore muzikore , në trevat e Malësisë së Gollakut , ka qenë shumë i zhvilluar , sidomos në jetën baritore , kur shumë barinj përpunonin dhe luanin me fyej, kavalle, mezhnica (gajde), çifteli dhe sharki .
Si çerdhe e përpunimit dhe luajtjes me çifteli e sharki, në këtë Malësi, pa dyshim ishte fshati Kremenatë, ku prej tij dolën shumë mjeshtër dhe interpreto të çiftelive dhe sharkive , duke filluar nga doajeni dhe legjenda e çiftelisë: Beqir Kremenata – Prelezi, Muharrem Kremenata, Hajdin Jashari, Rexhep Hajrizi e shumë të tjerë që e ndoqën rrugën e tyre duke e ruajtur gjithnjë traditën .
Si instrumenti më i preferuar në trevat e Malësisë së Gollakut, ka qenë kavalli , për të cilin predikuesit fetar , propagandonin se “është sevap për t’ i rënë!”
Pa dyshim se ndër kavallistët më të njohur në këtë Malësi, ishte Zenel Zymber Krasniqi (1896-1984), ose siç e quante populli:”Zenel Kavalli” “Baci Nel”, nga fshati Tugjec , i cili ishte i njohur në mbarë Malësinë e Gollakut , në Jabllanicë dhe në fshatrat e Anamoravës. Po nga ky fshat, rrugën e tij e ndoqën më vonë: Selman Kosumi dhe Sadri Krasniqi, i cili ishte edhe përpunues i fyejve dhe kavalleve .
Me përpunimin dhe luajtjen në çifteli, sharki dhe mezhnicë është marrë edhe Hamdi Xhemë Krasniqi nga Tugjeci , me djemtë e tij, si dhe vëllezërit: Ejup, Muharrem e Sylejman Krasniqi .
Përpunuesi i vetëm dhe më i njohur në Malësinë e Gollakut , për përpunimin e surleve dhe luajtjen me to, ka qenë Mehmet Hatolli nga fshati Tugjec, surlet e të cilit janë kërkuar deri në Shkup, për kualitet dhe cilësi të lartë të përpunimit .
Kavallistë shumë të njohur dhe të kërkuar në odat e Malësisë së Gollakut, kanë qenë edhe vëllezërit Behlul dhe Halil Leka , nga fshati Kranidell , pastaj në fshatin Poliçkë e Velegllavë ka pasur shumë kavallistë të njohur: Murat Surdulli, Mehedin Bunjaku, Hajredin Mushica,Shabi Vokshi, Zenel Vokshi, Njazi Vokshi e shumë të tjerë .
Prej instrumentistëve më të njohur në luajtje me çifteli , nga trevat e Gollakut, nuk mund të harrohet legjenda e çiftelisë, Beqir Kremenata – Prelezi, i cili edhe i bëri incizimet e para në shiritat e Radio Prishtinës, pas të cilit do të vijnë Murat Bunjaku nga Kosovica, Rrahman Bunjaku ( me fyell) nga Kosovica dhe interpretuesi më brilant i çiftelisë – Fatmir Makolli nga Mareci . Më vonë , do të dalin në skenë edhe kavallistë të tjerë, si :Heset Matoshi dhe Rrahman Matoshi nga Gëmica, Shefki Krivaça nga Meshina e shumë të tjerë.

Rapsodët dhe interpretët e këngës popullore nga Malësia e Gollakut

Ndër rapsodët më të njohur nga Malësia e Gollakut, do të përmendet Sejdi Abazi nga fshati Velegllavë, i cili më vonë ka migruar në fshatin Gumnishtë , afër Gjilanit dhe është njohur me nofkën “Sejdë Gumnishta”, rrugën e të cilit e ndoqën edhe djemtë dhe nipat e tij, duke lozur dhe kënduar me çifteli , fyej dhe kavalle . Ka qenë shumë i njohur dhe i kërkuar grupi instrumental burimor i Ajvaz Matiçanit, afër Prishtinës.
Këngëtari dhe rapsodi i parë nga Malësia e Gollakut, i cili u dëgjua përmes etërit nga valët e Radio Prishtinës, është Demir Krasniqi, nga fshati Tugjec, pas të cilit këtë rrugë do ta ndjekin edhe vëllezërit: Jakup e Rrahman Krasniqi, ndërsa këngëtarja e parë e Radio Prishtinës, nga kjo Malësi, ishte Ylfete Rafuna nga fshati Gjyrishec .
Nga fshati Desivojcë, janë të njohur këngëtarët: Sadete Shkodra, Sirie Gagica, Nazim Gagica dhe Florim Gagica. Nga fshati Zarbicë, do të dallohet këngëtari Besim Limani. Nga fshati Zhujë, është i njohur rapsodi Qazim Hajdari, kurse nga fshati Gëmicë, janë të njohur rapsodët: Xhemajl Matoshi, Hetem Matoshi , Ramadan Matoshi dhe Sanie Matoshi. Nga fshati Sfircë , dallohen rapsodët: Selajdin Berisha , Bajram Berisha.
Nga fshati Kranidell, dallohen rapsodët, instrumentistët dhe këngëtarët: Qazim, Sabit,Ismet , Besim Shabani dhe Linda Shabani. Vëllezërit:Fehmi, Remzi, Fejzi, Adnan dhe Besim Leka .
Nga fshati Kremantë, dalin një grup rapsodësh të cilëve iu prinin vëllezërit: Xhavit , Kosum dhe Rexhep Kadriu . Nga fshati Kosovicë, dallohen solistet e mirënjohura: Taibe, Nazife dhe Merita Bunjaku.
Nga fshati Strezoc , dalin dy talentë shumë të përsosur: Xhavit dhe Refik Sadiku, të cilët përveç këngës, janë edhe fiz-harmonikistët e parë të Malësisë së Gollakut.
Nga fshati Krilevë, dalin solistet dhe instrumentistet e njohura: Nazmije dhe dhe Nevrie Demolli. Nga fshati Gllogovicë, në fushën e folklorit dallohet rapsodi Gani Demolli. Nga fshati Zajçec janë të njohur vëllezërit Hajdin dhe Ibrahim Munishi, motrat Selmani, motrat Mihrije dhe Pashije Munishi, të cilët në fakt kanë qenë një ansambël në vete, pasi kanë lozur në pothuaj të gjitha instrumentet muzikore, si në çifteli, sharki, fyell, kavall, me defe, surlja e mezhnica dhe kanë kënduar në dasma dhe ndeje që bëheshin në shtëpitë dhe familjet e lagjeve në Tugjec, Zajçec, Kremenatë e Meshinë. Jeta e vështirë dhe në skamje ka ndikuar që talenti i tyre të mbetet i pa shfrytëzuar në shkallën e duhur dhe të shuhet pa mbërri majat e artit të këndimit. Po ashtu janë të njohur edhe Hajrulah Veliu, Avdullah Hyseni dhe Malush Ajeti, ndërsa Selman Isufi ishte instrumentist i njohur në kavall, mezhnica dhe lahutë, të gjithë këta nga Zajçeci.
Nga Sfirca e Brendshme, janë të njohur interpretët dhe instrumentistët: Abdurrahman Sfirca, Muhamet Sfirca, Qazim Beha, Imer Emini, vëllezërit: Jetullah, Abaz dhe Zog Aliu, Kadri Abazi dhe Remzi Jakupi – Remi nga Banja e Sijarinës.
Nga fshati Prapashticë, gjurmë në fushën e kultivimit të folklorit burimor kanë lënë rapsodët:Ismajl Nuredini, Ejup Ibrahimi, Jahir Nuredini dhe solistja e mirënjohur Mihrije Prapashtica.
Nga fshati Marec, kanë qenë të njohur si rapsodë, vëllezërit: Rizah dhe Fejzullah Musliu. Nga fshati Mramor është i njohur rapsodi Muharrem Gashi dhe dikur ishte edhe Zeman Gashi. Nga fshati Slivovë , është i njohur rapsodi Zejnullah Bajrami dhe bija e tij, Arta Bajrami . Nga fshati Koliq, kontribut të çmueshëm ka dhënë edhe rapsodi Faik Binaku. Nga fshati Grashticë, është i njohur rapsodi Shaip Berisha dhe interpreti Lulëzim Krasniqi. Nga fshati Keçekollë, vjen interpreti shumë i njohur Naim Abazi e shumë të tjerë.
Do t’ u kërkoja falje paraprakisht, të gjithë atyre interpretove, apo instrumentistëve, të cilët pa dashje dhe pa qëllime mund t’i kem harrua, por me sugjerime dhe plotësime të një vullneti të mirë, në një të ardhme mund të botohet një monografi me të gjithë artistët popullor nga trevat e Malësisë së Gollakut.
Në fshatrat e Malësisë së Gollakut, herë pas here ka pasur edhe nisma të themelimit dhe veprimit të grupeve të vogla folklorike, apo edhe të shoqërive muzikore amatore. Përpjekje të këtilla janë bërë gati se në të gjitha shkollat fillore, por gjurmë më të mëdha kanë lënë grupet muzikore të fshatrave :Keçekollë, Marec, Strezoc, Tugjec, Lisockë, Velegllavë, Poliçkë dhe Desivojcë.
Në vitin 1970, në fshatin Tugjec, ka funksionuar SHKA”Shpresa e Malësisë” , e cila më vonë është ripërtërirë me emërimin e dëshmorit Nuhi Berisha .

Të parët me shkollim dhe arsimim muzikor në Malësinë e Gollakut

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Malësinë e Gollakut, nuk kishte as një njeri, i cili do të dinte ta shkruaj një notë muzikore, apo ta vizatojë një pentagram. Nevojat për edukimin dhe arsimimin muzikor në shkollat tona ishin shumë të mëdha, por kushte për shkollim nuk kishte .
Njeriu i parë nga Malësia e Gollakut, i cili ia mësyu shkollimit profesional muzikor, ishte Selman (Lotë) Vaku, i njohur si Selman Vokshi, nga fshati Poliçkë, i cili atë kohë kishte mbaruar shkollën e mesme të muzikës në Prizren, e cila për herë të parë ishte hapur në vitin 1948 .
Rrugën e Selmanit, do ta ndjekin më vonë, Isa Jakupi dhe Esat Shkodra nga fshati Desivojcë, Zekë Isufi nga fshati Gjyrishec, Rexhep Munishi nga fshati Gëmicë, Hetem Berisha nga fshati Sfircë, Qazim Oruçi nga fshati Gllogovicë, Bajram Osmani nga fshati Hajkobillë, Bajram Behluli nga fshati Meshinë, Ahmet Dërguti nga fshati Brainë dhe vëllezërit Demir dhe Hazir Krasniqi , nga fshati Tugjec. Prej këtyre gjeneratave kanë dalë pedagogë muzikor, dirigjentë, instrumentistë, kompozitorë, etnomuzikolog, mbledhës të folklorit, interpreto të këngës etj.
Pas kësaj gjenerate të parë të muzikantëve të shkolluar, do të dalin edhe shumë të rinj , të cilët do ta ndjekin rrugën e paraardhësve të tyre: Kushtrim dhe Albina Jakupi, Sanije Matoshi; Visar, Lumnije dhe Enis Osmani, Dëfrim dhe Yll Behluli, Albana dhe Vatra Isufi, Përparim Krasniqi dhe shumë emra të rinj të muzikës së kultivuar artistike.

Dienstag, 17. März 2009

DASMA E LIRISË-NEXHAT REXHA



REFLEKTIMI PËR DITËN E SHUMËPRITUR

Nga Nexhat Rexha

Autori Avni Biçkaj,vjen para lexuesit me dy vepra letrare:
Dasma e lirisë, fq. 62. dhe Zogj në fluturim, fq. 70. të cilat u botuan në të njëjtën kohë nga Shtëpia botuese ART MUZA, 2009, Prishtinë.

Vepra konceptohet nga tri pjesë, të cilat komunikojnë për një ngjarje të madhe dhe të shumëpritur. Autori, nëpërmes këtyre tri pjesëve të veprës ka arritur të komunikojë në tri mënyra të veçanta të shprehjes apo pak më ndryshe, për të treguar dhe pasqyruar atmosferën e përgjithshme të Pavarësisë së Kosovës.
Pjesa e parë; E shkruar në prozë, shfaqet si shkëlqim i pashkëputur i një realiteti sa të hidhur, po aq të shumëpritur në hapësirat e tokave shqiptare si dhe në pjesët ku frymojnë ata, e që me vete kishin bartur këtë ëndërr kudo që janë ndodhur .
Pjesa e dytë; Është shprehur përmes vargjeve, të cilat janë ndërtuar me figura artistike ,që gjithsesi secili varg, strofë apo poezi ngërthen në vete klimën e përgjithshme kombëtare, si në Kosovë e më gjerë. Pra, duke i lexuar këto vargje krijohet, mbresa për këtë ditë të paharruar, për ata që e përjetuan dhe për brezat që do të vijnë. Në këto 20 poezi sa janë radhitur në vepër, duke filluar nga poezia e parë Dita e Pavarësisë, e deri te poezia e fundit në këtë vepër Ushtari i Pavarësisë, kemi të qartësuar dhe formësuar harmoninë tematike të këtij cikli poetik.
Në vepër autori ka rishkruar një pjesë të atyre ngajrjeve që kanë ndodhur, kuptohet, ai këto ngjarje i ka veshur me petkun e kohës dhe gjithsesi tani ngazëllimi i njerëvze ndryshon në shumë dimensione, sepse tani koha dhe njerëzit flasin hapur dhe kanë meditim e qasje më ndryshe nga ajo e shekullit të kaluar. Vetë zhvillimi i shkollimit dhe emancipimit kombëtar , ekonomik me të arriturat reja teknologjike dëshmojnë për ndryshime pozitive të shoqërisë shqiptare. Mirëpo, nga gjithë kjo ëndërr e shkapërderdhur nëpër kontinentet e botës, një gjë është e përbashkët, dëshira për liri dhe për ecje përpara në një realitet të ri, e gjithë kjo atmosferë është përshkruar në të gjitha poezit dhe pjesët tjera të librit.
Nëpër vargjet e kësaj vepre autori ka paqyruar edhe portrete të figurave kombëtare, të cilat me dijen dhe gjakun e tyre kanë vulosur fatin e këtij trolli nëpr kohë e luftëra. Portretizimi i këtyre figurave është dhënë në lidhje të përhershme me kohët, sepse ato i kanë lidhur ngjarjet dhe kohëve i kanë dhënë kuptim. Pra, sakrifiva e dëshmorëve dhe njerëzve për rreth tyre kanë krijuar bindjen edhe të qendrave të ndryshme dipomatike, për të përkrahur këtë luftë sa të drejtë, po aq edhe humanitare, krejt kjo me qëllim të mirë dhe për një perspektivë për realitetin e Ballkanit.
Gëzimet, urimet vijnë nga Tirana, Shkupi, Kruja, Vlora,Prekazi, Reçaku e tj., këto qendra ku është përqëndruar autori identifikohen me një pjesë të historisë, që gjithsesi njerëzit kanë shënuar ngjarje e bashkë me ato edhe ata janë sinonim i ecjeve nëpr ndodhitë që kanë krijuar realitete të reja, e që kanë ndryshuar kuptimin dhe jetën e njerëzve të kësaj kohe.
Në këtë zinxhir të ngjarjeve madhore kanë lidhë fatet e njerëze të të gjitha shtresave bashkë me figurat e dëshmuara kombëtare dhe ndërkombëtare, si : Skenderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari, Tahir Meha, Uiliam Uoker etj., autori këto personalitete i ka bashkuar në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Atë ditë të 17 shkurtit 2008, sikur tërë shekujt flisnin me një gjuhë e me një fjalë. Ai në poezinë: ”Pa fjalë” shprehet:

Male e fusha të stolisura
si nuse pavarësie

Karvanët të tërë krushqish po hapëronin në dasmën e madhe

Pra, reflektimi i kësaj dasme të lirisë,kishte ndryshuar pamjen e fytyrave të njerëzve të të gjitha moshave. E Prishtina kulmoi atë ditë si asnjëherë më parë. Shumë njerëz nga qytete e krahina shqiptare u solidarizuan për pjesëmarrje për këtrë ditë të shumëpritur dhe si asnjëherë më parë, atë ditë ishin tokë, por nuk munguan edhe të zgjedhurit e qendrave diplomatike dhe miq të Kosovës, sepse kjo ishte ditë e shënuar.
Dëshira e autorit përmes vargjeve shpreh reflektim që e ardhmja të rrezatojë në kontinuitet të lidhjeve të pashkëputura me një kororëzim të ruajtjes së gjakut të shumë brezave që shkrinë dijen dhe shpirtin e tyre për këtë vend e kontributi i tyre për çështje atdhetare të mos harrohet kurrë.
Pjesa e tretë,përbëhet nga 46 mesazhe apo urime për këtë ditë të madhe.
Avni Biçkaj, ka shënuar kujtimet që i kanë ardhur atë ditë nga miqtë, familjarët, të cilët gjenden në vende të ndryshme. Këto mesazhe njëherit shënojnë edhe vendndodhjen e shqiptarëve të shpërndarë nëpër shumë shtete të botës. Një gjë me ka ra në sy se mesazhet që vijnë nga këto shtete janë sinjalet e para edhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Libri i Avniut Dasma e lirisë, është rezultat e i një ëndrre të skalitur, për shumë shekuj ndër shqiptarët, edhe pse kjo ëndërr e vonuar, ajo gjithsesi është e një rëndësie të veçantë, sepse është shënuar ajo që ka ndodhur, e kur shënohen ngjarjet e kohës me dioptrinë e afërsisë së mendjes dhe zemrës ato ruajnë në vete vlerë dhe gjurmë të pa ndryshueshme të kohës. E kjo është koha jonë me të gjitha të mirat e të këqijat që e përcjellin atë.
Marrë në përgjithësi vepra Dasma e lirisë , përmbush kërkesën e kohës, të shprehur përmes vargjeve, e cila në brendi është brumosur me vlera të rëndësishme artistike.
Pra ,për këtë përvjetor të parë të pavarësisë së Kosovës, Avni Biçkaj me tri pjesët e librit ka reflektuar vetëm një temë, e kjo është tema e madhe e ëndrrës së pritur, e cila është farkuar e sendërtuar me të mundshmen reale, e me përjetimet nga më të mirat e kësaj kohe.
Për fund, autorit Avni Biçkaj i dëshiroj shëndet, suksese e hapërime të mëtutjeshme në fushën e gjerë e të pa fund të fjalës së shkruar artistike.

Më 12 shkurt 2009

Samstag, 14. März 2009

KËNGËT E HAKMARRJES

Nga folklori ynë:

KËNGËT E HAKMARRJES

Nga Demir KRASNIQI

Pa dyshim se ndër plagët më të rënda të historisë së popullit shqiptar, është vëllavrasja dhe hakmarrja, plagë këto që fatkeqësisht edhe në fillimin e shekullit të 21-të, nuk kanë të shëruar dhe ato vazhdojnë të hapen e të lëndojnë zemra gjithandej trojeve dhe krahinave etnike shqiptare.
Nëpër shekujt që i lamë pas, në përpjekje për shërimin e këtyre plagëve u morën shumë kanune, këshilla për pajtime, “sheriate” , ligje, por që asnjëra prej tyre nuk ia dolën kurrë që ta çrrënjosin njëherë e përgjithmonë këtë dukuri shemtuese, të kobshme dhe shfarosëse për kombin tonë.
Fenomeni i vëllavrasjeve dhe i hakmarrjeve ka shtënë rrënjë të thella edhe në traditën e folklorit tonë muzikor, me ç’ rast rapsodët – krijues popullor anonim kanë krijuar shumë këngë të kësaj natyre , duke iu thurur “himne lavdie e trimërie” vrasësve dhe hakmarrësve. Këngë të këtilla vazhdojnë të krijohen dhe të këndohen edhe në ditët e sotme, pa u ndëshkuar nga askush!
Këngët e vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për popullin tonë, e sidomos për gjeneratat e reja të cilat i konsumojnë këto këngë , edukohen dhe frymëzohen me “heroizma” ,”lavdi” dhe “trimëri” të tilla!
Këngët e vëllavrasjeve dhe të hakmarrjeve drejtpërsëdrejti nxisin , frymëzojnë dhe trimërojnë të tjerët për të bërë krime dhe për t’ u hakmarrë, nga se mentaliteti i një shtrese të pa arsimuar të popullit është i tillë, sa po sa ta dëgjojnë një këngë të këtillë, do të inspirohet, frymëzohet dhe trimërohet që të dal e ta vras dikë, apo të hakmerret ndaj dikujt, me të vetmin iluzion: se edhe atij do t’ i thuren këngë, do të këndohet në tela të çiftelisë, do të hyjë në histori, do të rreshtohet në mesin e atyre “heronjve” dhe “trimave” të cilët bëjnë vëllavrasje dhe hakmarrje!
Pos këngëve që nxisin dhe inspirojnë drejtpërsëdrejti vëllavrasjen dhe hakmarrjen, faktorë relevant të nxitjes së këtyre fenomeneve të shëmtuara , në të shumtën e rasteve janë prindërit të cilët gjatë tërë jetës së tyre i nxisin , inspirojnë , madje edha ua lënë amanet bijve të tyre që të hakmerren dhe të mos e ndalin pushkën vrastare deri në frymën e fundit të jetës së tyre!
Siç thamë edhe më lartë, në thesarin e folklorit tonë muzikor tradicional , fatkeqësisht , kemi me qindra këngë që i këndojnë vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve, ne për ilustrim të këtij studimi, kësaj radhe zgjodhëm vetëm njërën prej këtyre këngëve për të cilën mendojmë se është shembulli më tipik ndër këngët që stimulojnë vëllavrasjen dhe hakmarrjen dhe atë sipas amanetit të prindërve !
Fjala është për “Këngën e Qorr Istrefit”, këngë kjo që nuk na e jep identitetin dhe vendlindjen e protagonistit, por as kohën e ngjarjes. Tmerri më i madh i kësaj kënge, pa dyshim është momenti kur prindi – babai i quajtur Qorr Istrefi, një burrë plak, i cili sëmuret për vdekje, por nuk mund t’ i dalë shpirti pa ia lënë amanet të birit të tij Sadikut, që të hakmerret për një vrasje të ndodhur më herët, duke i treguar të birit për gjakun e pa marrë, për “hasmin” dhe emrin e tij, për vendbanimin dhe profesionin e tij!
Dhe ja se si ia le amanet babai të birit që të hakmerret, sipas vargjeve vijuese të kësaj kënge:

Qorr Istrefi, kur bani me dekë ,
Ja la t’ birit ni amanet:
“Amanet , Sadik , bre djalë –
Kem ni gjak , hala pa e marrë!
Kem ni gjak, o, gjak të ri ,
Edhe hasmin vet e di !
N’ daç për hasmin me e ditë ti –
N’ Kumanovë , po rrinë me shpi !
N’ vetsh për emën – Shaban Zotni,
Ka zanatin kundraxhi !

Biri i Qorr Istrefit – Sadiku, i cili ishte një djalë i ri, duke u inkurajuar nga fjalët e babait dhe duke u zotuar se do ta çojë në vend amanetin e tij, do të mobilizohet menjëherë dhe do të niset në rrugë për hakmarrje:

Kqyr shka bani Sadiku i ri –
Mirë poj ngon fjalët e babës tij,
M’ i ka veshë ni parë tirqi t’ zi ,
N’ shokë ma shtjen t’ shkreten allti,
N’ Kumanovë ja paska mësy !

Me të arritur në Kumanovë, ku sipas fjalëve të babait, ishte duke punuar e jetuar me familje “hasmi i tij” i quajtur Shaban Zotnia , tash hakmarrësi i quajtur Sadiku i ri, për ta kryer këtë akt mizor dhe makabër, do ta përdorë një strategji me një tradhti shumë të ulët dhe tinëzare, akt ky që nuk ka të bëjë me burrëri dhe trimëri !
Hakmarrësi i quajtur Sadik, do të shkojë në një dyqan rrobaqepësie, ku do të porosis komplet një palë rroba femrash: shall, dimi dhe çarçaf të zi, në mënyrë që të vishet me rroba femre dhe ashtu i maskuar do t’ i shkonte “hasmit” të vet në shtëpi dhe do ta vriste në pabesi :

N’ Kumanovë , kur paska hi –
Koka hi te ni terzi:
“Puna e marë, more terzi!”
“Të marë paq , more djalë i ri !”
“Fort n’ uzdajë ta kam mësy ,
Do t’ mi prejsh ni parë petka t’ ri,
Do t’ mi prejsh shallë e dimi ,
Do t’ ma prejsh çarshafin e zi !”

Rrobaqepësi, duke mos ditur qëllimin e këtij të riu tinzar dhe hakmarrës, ia pret dhe ia qepë komplet rrobat e femërs, ashtu si që i kishte porositur Sadiku, i cili do t’ i veshë ato rroba diku në fshehtësi dhe do të kalëronte nëpër rrugët e qytetit të Kumanovës, në formë të një zonje të rëndë e të panjohur :

Kqyr shka bani qaj terzi –
Ja ka pre shallë e dimi,
Po ja pret çarshafin e zi !
Po m’ i veshë Sadiku i ri –
Koka dalë Sadiku n’ çarshi .
Be po bajnë këta dugajxhi –
Kurrë këso zoje , n’ çarshi s’ ka hi !

Hakmarrësi Sadik, duke mos ditur se ku e ka shtëpinë “hasmi” i tij, i quajtur Shaban Zotnija, afrohet tek një furrtar dhe ashtu i maskuar si femër e pyet furrtarin se ku e ka shtëpinë Shaban agë Zotnija, duke e gënjyer furrtarin se kinse është një zonjë jabanxhi (e pa njohur) e cila ka humbë rrugën dhe tani kërkon konak tek ai zotëri !
Furrtari, duke mos ditur për djallëzitë e këtij të riu të maskuar e vrastar, me qëllim që t’ i dalë në ndihmë për të mos ngelur në rrugë gjatë natës, i tregon drejt se ku e ka shtëpinë Shaban agë Zotnija:

Koka shkue te ni furraxhi –
Puna e marë , more furraxhi !
-Të marë paç , ti Zojë, oj bi !
-Jam e largët jabanxhi ,
M’ ka zanë nata, nëpër çarshi,
A s’ ma njihni Shaban Agë – Zotninë,
Me m’ kallxue ku e ka shpinë?!
-Qatje naltë , përmi xhami ,
E ka marue ni çardak të ri !

Pasi ia tregon derën e Shabanit, ai furrtar vendor, Sadiku shkon drejt në derë të “hasmit” të tij dhe i troket në derë, kinse për të kërkuar konak (strehim) në shtëpinë e tij, nga se e ka nxënë nata si jabanxhike dhe ka ngelë në çarshi !
Pra, këtu hakmarrësi i quajtur Sadik, e keqpërdorë mikpritjen dhe bujarinë tradicionale shqiptare, për ta kryer hakmarrjen me tradhti :

Drejt në derë , Sadiku ja ka mësy ,
Ja ka mësy, poj cokatë n’ derë ,
Del Shabani meniherë –
Kush je ti, qi cokatë n’ derë ?
-Jam ni Zojë, jabanxhi ,
M’ ka zanë nata, jam metë n’ çarshi ,
Për konak, sonte ta kam mësy!
-Eu, hoshgjolldën Zojë, moj bi !
E merr Shabani, pe qon në shpi !
E merr Shabani, nër zoja pe qon ,
Muhabet , Shabani poj banë,
Ja ka qitë Zojës, ni skemli ,
Ju ka ungjë Shabani, karrshi ,
Po ja banë ka ni herë me sy !

Hakmarrësi Sadik Istrefi, duke vepruar me skenar të maskuar dhe tradhti të pa parë, ia keqpërdorë mikpritjen, bujarinë , bukën dhe besën strehuesit Shaban dhe duke aktruar në rol të një lavireje femër, i kërkon që sa më parë t’ ia shtrojë vendin dhe t’ ia caktojë dhomën e fjetës:

Asht ardhë vakti darkë me ngranë ,
-Lajë duert , Zojë , m’i ka thanë !
-Nuk muj darkë, sonte me ngranë ,
Ni parë ethe mue m’ kanë nxanë ,
Si ndoj vend n’ mujshi me ma ba !
Si ndoj vend n’ mujshi me ma shtrue ,
N’ mujsha pak me u rahatue !

Strehuesi – mikpritësi Shaban agë Zotnija, duke qenë i provokuar vazhdimisht nga gjestet amorale të “mysafires së panjohur”, e humb mendjen dhe iu nënshtrohet provokimeve të “mysafires”, me ç’ rast vendosë që ta kalojë natën duke fjetur bashkë me te dhe e urdhëron bashkëshorten e vet të kurorës që t’ ia shtroi dhomën e fjetjes :

Shaban Aga, shka ka marue ,
Zojës s’ vet, ju ka ngërmua:
“Shpejt, ti , sobën me ma shtrue ,
Me natë t’ sontit jam martue !”
Po shkon Zoja, tuj nemë, tuj true:
“Ti, mos pritsh Shaban, me e trashëgue !”

Hakmarrësi – mysafir, vazhdon me mashtrimet, provokimet dhe tradhtitë e tij amorale në dëm të mikpritësit dhe familjes së tij, duke ia bërë me dije që të mos flejë, nga se kah gjysma e natës do t’ i shkojë në gji Shabanit:

Kqyr shka i thotë Sadiku i ri:
“A ndigjon Shaban, zotni ,
Ni farë vakti tu ti do t’ vi !”

Kah mesi i natës, Sadiku i troket në derë të dhomës së fjetjes mikpritësit Shaban dhe i hynë në dhomë, ku sërish vazhdon me skenar të errët tradhtie, deri sa e detyron mikpritësin Shaban, që ta mbulojë kokën me jorgan, ta mbyllë dritën, deri sa t’i zhveshi rrobat, nga se gjoja po turpërohej që të zhvishej para syve të tij:

Gjysa e natës kur a ba ,
Shkon Sadiku i cokatë n’ derë –
A m’ je quuet, a m’ je fjetë?
-Nuk jam fjetë, tha, po jam quet,
Nuk po m’ merr gjumi pa ty !
Shpejt, ai , derën ja ka çelë ,
Mrend , Sadiku koka hi,
-A nogon Shaban zotni ,
Mloje kryet me jorgan t’ ri ,
Jam qillue Zojë jabanxhi,
Po m’ vjen keq me t’u deshë nër sy,
Sa t’ i hjek, unë, shallë e dimi,
Sa ta hjek këtë çarshaf të zi !

Hakmarrësi Sadik Istrefi, i cili me pabesi, tradhti , maskim dhe keqpërdorim te të gjitha traditave shqiptare, pasi që e detyron mikpritësin që ta shuaj dritën dhe ta mbulojë kokën me jorgan, i zhveshë rrobat e femrave dhe e nxjerr revolen, ku e vret Shabanin mu në shtratin e tij, mu në dhomën e tij dhe para familjes së tij, e cila ishte e tëra në gjumë!
Por “trimëria” e tij , në rolin e hakmarrjes, bëhet edhe më qyqare në momentin e kryerjes së aktit të vrasjes, kur kërcen prej dritares së dhomës dhe ikë nga ajo shtëpi :

Kqyr shka banë ai Shaban zotni ,
E mloj kryet me jorgan të ri !
Kqyr shka bani Sadiku i ri ,
M’ i ka hjekë shallë e dimi,
Ma ka hjekë çarshafin e zi,
Koka metë soll n’ tierqi t’ zi .
-A nigon Shaban zotni ?
Shploje kryet prej jorganit t’ ri ,
Unë nuk jam kush kujton ti ,
Nuk jam Zoja jabanxhi ,
Po mue m’ thonë Sadiku i ri !
E ka nxjerrë t’ shkretën allti -
Ja ka njehë shtatë mi kry’!
Prej çardakut po bjen n’ çarshi –
Shnosh e mirë ka shkue n’ shpi !

Po qe se e analizojmë këtë këngë me një mendje të shëndoshë dhe kokë të ftohtë, atëherë shumë lehtë do t’i kuptojmë tiparet, karakteret, mentalitetet, “trimëritë”, “heroizmat”, strategjitë dhe tradhtitë e aktorëve të hakmarrjeve të cilët jetojnë dhe trajtohen si “heronj” në këngët tona popullore që iu kushtohen vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve.

Gjilan, më 10 Mars 2009.

Montag, 9. März 2009

Reportazh
Pal Sokoli: Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptar në Gjermani mbajti Orë letrare në Wuppertal
Sunday, 01-03-2009, 08:56pm (GMT)

H. Qyqalla, P. Sokoli, M. Mulolli
Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptar në Gjermani mbajti Orë letrare në Wuppertal

Nga Pal Sokoli

Në vazhdën kremtimeve të vazhdueshme të përvjetorit të pavarësisë se Kosovës në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë saj, edhe Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptar në Gjermani me rastin e këtij përvjetori organizoj një tubim letrarë në Wuppertal-Gjermani.
Në sallën e Klubit shqiptar “7 Shtatori” u tubuan afër njëqind krijues dhe dashamirë të artit dhe kulturës shqiptare të cilët edhe shumica prej tyre ishin vet edhe krijues edhe interpretues të shkëlqyer të gjinive të ndryshme artistike.
Liman Zogaj- koordinator për manifestime të ndryshme artistike të LSHAKSH-në Gjermani, hapi takimin duke i përshëndetur dhe duke i uruar të pranishmit me rastin e përvjetorit të pavarësisë se Kosovës, dhe duke i ftuar në skenë grupin tani më të njohur “Kosova” qe vepron në kuadër të LSHAKSH-së, me vallen “ Pavarësia” nen koreografinë e tij. Takimin letrarë e përshëndeti kryetari i Klubit shqiptar “7 shtatori” z. Behxhet Muçolli, duke i dëshiruar shkrimtarëve suksese te mëtutjeshme ne krijimtari të ndryshme letrare dhe artistike. Skenën e zuri artisti i Lidhjes z. Musa Mulolli, me disa recitime dhe interpretime me plot emocione, nga autor tanë, dhe qe u prit me duartrokitje frenetike nga të pranishmit e mbrëmjes.
Për të lexuar punimet e veta letrare në skenë, z. Liman Zogaj u ftoj poetin, dhe gazetarin i dikurshëm të i Radio Prishtinës z. Qamil Foniqi, i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë takim nga Roterdami i Holandës. Qamili se pari përshëndeti Lidhjen e shkrimtarëve në Gjermani, veprimtarinë e së cilës e përcjell me kujdes të veçantë, dhe për të cilët ka respekt për veprimtarin letrare dhe artistike qe bën në mërgatën Gjermane, pastaj recitoj një cikël me poezi; “Dheu i atdheut”,”Dielli”,”Plisi” ,”Mikes”, “ Anatemës” ,Mbi të pa qenët ” dhe pastaj duke e mbyllur këtë cikël të bukur poetik me poezinë “Ëndrra”. Pastaj në skenë u ftua poeti, Shaban Cakolli, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, lexoj disa poezi nga veprimtaria e tij letrare te botuar në disa përmbledhje të gjinive të ndryshme poetike, të cilat u mirë priten nga të pranishmit e sidomos poezitë ; “ Ç´po bëjmë kështu”, ” poezi për Azem Shkrelin”, “Ndarje qe dhëmb” etj.
Pastaj në emër të Lidhjes. z. Hasan Qyqalla shpalli të shpërblyerit e mbrëmjes , dhe për meritat e tyre, qe pastaj z. Liman Zogaj i ftoj në skenë tre shkrimtar dhe veprimtar qe të marrin shpërblimet e parapërgatitura nga kryesia e LSHAKSH-së. Për merita ne veprimtarin letrare dhe për merita për çlirimin e Kosovës; z. Martin Çuni,(kryetar i Lidhjes..) për merita në veprimtarin letrare dhe publikimin e veprimtarisë se Lidhjes, z. Shaban Cakolli, dhe z. Qamil Foniqi për krijimtari letrare. Te shpërblyerit u falënderuan dhe u shprehën se ndjehen te privilegjuar qe morën Mirënjohje nga LSHAKSH-ja. Martin Çuni falënderoj për shpërblimin dhe uroj “ qe ky takim të mbetet më i vogli takim letrarë “në veprimtarin tonë. Pal Sokoli (unë) pasi përshëndeti të pranishmit për përvjetorin e pavarësisë foli shkurtimisht për veprimtarin dy vjeçare të LSHAKSH-në Gjermani e cila themelet e saj i ka mu nga takimi i 09.12.2006 në Wuppertal, dhe deri me tani, ku u promovuan me dhjeta vepra të ndryshme poetike, publicistike dhe monografike nga autorë qe veprojnë ne kuadër të kësaj Lidhje. Pastaj lexoj poezi nga veprimtaria e tij në gjuhën shqipe dhe gjermane, për hir të disa pjesëmarrësve gjerman në këtë tubim.

Ilirianë Sokoli
Ilirianë Sokoli

Liman Zogaj bëri një ndërhyrje artistike, me një skenë te shkurtër “Gjak po” qe përshkruante një fat historik të shqiptarëve nëpër shekuj. Musa Mulolli lexoj përshëndetjet qe na kishin dërguar shkrimtarë të ndryshëm nga larg dhe poezi për këtë takimi p.sh: Mëhill Velaj nënkryetar i SHSHSHA, Stampfort USA, me poezinë “Nëse kthehem njëherë”, të shkrimtares Bajame Hoxha nga Brukseli-Belgjikë lexoj poezitë” Manushaqe”,”Mendo”dhe ”Guri”. Nga Kasam Shaqirvela, poezinë “Pritje shekullore”, pastaj përshëndetjet nga Alma Papamihali, Çerkin Bytyqi, Hamza Halabaku dhe Lekë Prençi dhe Shqipe Demiri.
Poeti Halil Haxhosaj nga Gjakova, takimin tone e përshëndeti me poezinë “Loja u plak” të cilën e lexoj Ilirianë P. Sokoli.
Naser Halili, sekretarë i Lidhjes.. lexoj poezi nga libri i Liman Zogajt “Kosovë nuk ta mora diellin”. Martin Çuni. lexoj fragmente nga romani i tij ne botim”Bisedë me ndërgjegjen”me tematikë nga shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, me titull simbolik “Eldorado në Turqi”. Vehbi Musa prezantoj revistën letrare “Muza shqiptare” për të cilën tha do të lenë gjurmë ne historikun e letërsisë shqiptare e sidomos asaj në mërgatë, pastaj lexoj poezinë e tij “Pelegrinazh në Kosovë”. Poeti Hasan Qyqalla lexoj gjithashtu poezi nga veprimtaria e tij, e sidomos me theks te veçantë poezitë; ”Ta bëjmë Shqipërinë”,”Kosovë fjala ime e fundit” dhe poezi tjera nga veprimtari e tij me e re. Edhe pse z. Liman Zogaj kishte edhe detyrën e prezantuesit, gjeti gjithashtu kohe qe të na lexoj diçka nga veprimtaria e tij me e re. Në emër te kryesisë, Pal Sokoli(unë) për aktivitet letrarë me një libër shpërblej z. Hasan Qyqalla, dhe për recitim-aktrim z. Musa Mulolli. Me recitime te poezive me tematik; Kosovën, pavarësinë dhe heronjtë tanë, mbrëmjen na hijeshuan edhe recitues të shkollës shqipe të Wuppertalit si p.sh: Valdrina dhe Gentrit Rakaliu, Dardanë Muçolli, Herolinda Gashi dhe te tjerë. Z. Liman Zogaj e përfundoj takimin duke i përshëndetur te gjithë te pranishmit dhe ne veçanti znj. Renate Fuss, mike e shqiptarëve qe na kishte nderuar me pjesëmarrje. Takimi u mbyll me disa valle me tematikë çlirimin e vendit dhe të luajtura lehtë nga grupi i valleve “Kosova”, Abelinda, Abetare dhe Djellëza dhe Veneranda Zogaj, Norë dhe Alba Foniqi. Takimi zgjati edhe pas përfundimit të programuar duke u njohur me njeri tjetrin autorët dhe mysafirët e mbrëmjes. Ne takime te tilla bie në sy se gati te gjithë pjesëmarrësit ishin ardhur të organizuar familjarisht dhe në biseda me njeri tjetrin tregoheshin shumë të interesuar për organizime te tilla. Ndoshta po bëjë si apel të të gjithë krijuesit sidomos në Gjermani të mbështesim organizimet të tilla letrare, ti masivizojmë ato, të mobilizojmë prindërit e nxënësve të gjuhës shqipe, ti organizojmë ata qe edhe fëmijët e tyre ta dëgjojnë fjalën e shkruar direkt nga krijuesit, ti motivojmë ata qe edhe vet të shkruajnë. Krijimtaria letrare e sidomos poezia, edhe në gjuhen gjermane është përqendruar në një elitë të ngushtë, por është e frytshme për aq sa mund ta bëjmë te arritshme edhe për gjeneratat e reja.


L.Zogaj, M. Çuni, H. Qyqalla
L.Zogaj, M. Çuni, H. Qyqalla
Pjesemarres

Sh. Cakolli - Mirenjohja

Grupi i Valleve - Kosova