Dienstag, 17. März 2009

DASMA E LIRISË-NEXHAT REXHA



REFLEKTIMI PËR DITËN E SHUMËPRITUR

Nga Nexhat Rexha

Autori Avni Biçkaj,vjen para lexuesit me dy vepra letrare:
Dasma e lirisë, fq. 62. dhe Zogj në fluturim, fq. 70. të cilat u botuan në të njëjtën kohë nga Shtëpia botuese ART MUZA, 2009, Prishtinë.

Vepra konceptohet nga tri pjesë, të cilat komunikojnë për një ngjarje të madhe dhe të shumëpritur. Autori, nëpërmes këtyre tri pjesëve të veprës ka arritur të komunikojë në tri mënyra të veçanta të shprehjes apo pak më ndryshe, për të treguar dhe pasqyruar atmosferën e përgjithshme të Pavarësisë së Kosovës.
Pjesa e parë; E shkruar në prozë, shfaqet si shkëlqim i pashkëputur i një realiteti sa të hidhur, po aq të shumëpritur në hapësirat e tokave shqiptare si dhe në pjesët ku frymojnë ata, e që me vete kishin bartur këtë ëndërr kudo që janë ndodhur .
Pjesa e dytë; Është shprehur përmes vargjeve, të cilat janë ndërtuar me figura artistike ,që gjithsesi secili varg, strofë apo poezi ngërthen në vete klimën e përgjithshme kombëtare, si në Kosovë e më gjerë. Pra, duke i lexuar këto vargje krijohet, mbresa për këtë ditë të paharruar, për ata që e përjetuan dhe për brezat që do të vijnë. Në këto 20 poezi sa janë radhitur në vepër, duke filluar nga poezia e parë Dita e Pavarësisë, e deri te poezia e fundit në këtë vepër Ushtari i Pavarësisë, kemi të qartësuar dhe formësuar harmoninë tematike të këtij cikli poetik.
Në vepër autori ka rishkruar një pjesë të atyre ngajrjeve që kanë ndodhur, kuptohet, ai këto ngjarje i ka veshur me petkun e kohës dhe gjithsesi tani ngazëllimi i njerëvze ndryshon në shumë dimensione, sepse tani koha dhe njerëzit flasin hapur dhe kanë meditim e qasje më ndryshe nga ajo e shekullit të kaluar. Vetë zhvillimi i shkollimit dhe emancipimit kombëtar , ekonomik me të arriturat reja teknologjike dëshmojnë për ndryshime pozitive të shoqërisë shqiptare. Mirëpo, nga gjithë kjo ëndërr e shkapërderdhur nëpër kontinentet e botës, një gjë është e përbashkët, dëshira për liri dhe për ecje përpara në një realitet të ri, e gjithë kjo atmosferë është përshkruar në të gjitha poezit dhe pjesët tjera të librit.
Nëpër vargjet e kësaj vepre autori ka paqyruar edhe portrete të figurave kombëtare, të cilat me dijen dhe gjakun e tyre kanë vulosur fatin e këtij trolli nëpr kohë e luftëra. Portretizimi i këtyre figurave është dhënë në lidhje të përhershme me kohët, sepse ato i kanë lidhur ngjarjet dhe kohëve i kanë dhënë kuptim. Pra, sakrifiva e dëshmorëve dhe njerëzve për rreth tyre kanë krijuar bindjen edhe të qendrave të ndryshme dipomatike, për të përkrahur këtë luftë sa të drejtë, po aq edhe humanitare, krejt kjo me qëllim të mirë dhe për një perspektivë për realitetin e Ballkanit.
Gëzimet, urimet vijnë nga Tirana, Shkupi, Kruja, Vlora,Prekazi, Reçaku e tj., këto qendra ku është përqëndruar autori identifikohen me një pjesë të historisë, që gjithsesi njerëzit kanë shënuar ngjarje e bashkë me ato edhe ata janë sinonim i ecjeve nëpr ndodhitë që kanë krijuar realitete të reja, e që kanë ndryshuar kuptimin dhe jetën e njerëzve të kësaj kohe.
Në këtë zinxhir të ngjarjeve madhore kanë lidhë fatet e njerëze të të gjitha shtresave bashkë me figurat e dëshmuara kombëtare dhe ndërkombëtare, si : Skenderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari, Tahir Meha, Uiliam Uoker etj., autori këto personalitete i ka bashkuar në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Atë ditë të 17 shkurtit 2008, sikur tërë shekujt flisnin me një gjuhë e me një fjalë. Ai në poezinë: ”Pa fjalë” shprehet:

Male e fusha të stolisura
si nuse pavarësie

Karvanët të tërë krushqish po hapëronin në dasmën e madhe

Pra, reflektimi i kësaj dasme të lirisë,kishte ndryshuar pamjen e fytyrave të njerëzve të të gjitha moshave. E Prishtina kulmoi atë ditë si asnjëherë më parë. Shumë njerëz nga qytete e krahina shqiptare u solidarizuan për pjesëmarrje për këtrë ditë të shumëpritur dhe si asnjëherë më parë, atë ditë ishin tokë, por nuk munguan edhe të zgjedhurit e qendrave diplomatike dhe miq të Kosovës, sepse kjo ishte ditë e shënuar.
Dëshira e autorit përmes vargjeve shpreh reflektim që e ardhmja të rrezatojë në kontinuitet të lidhjeve të pashkëputura me një kororëzim të ruajtjes së gjakut të shumë brezave që shkrinë dijen dhe shpirtin e tyre për këtë vend e kontributi i tyre për çështje atdhetare të mos harrohet kurrë.
Pjesa e tretë,përbëhet nga 46 mesazhe apo urime për këtë ditë të madhe.
Avni Biçkaj, ka shënuar kujtimet që i kanë ardhur atë ditë nga miqtë, familjarët, të cilët gjenden në vende të ndryshme. Këto mesazhe njëherit shënojnë edhe vendndodhjen e shqiptarëve të shpërndarë nëpër shumë shtete të botës. Një gjë me ka ra në sy se mesazhet që vijnë nga këto shtete janë sinjalet e para edhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Libri i Avniut Dasma e lirisë, është rezultat e i një ëndrre të skalitur, për shumë shekuj ndër shqiptarët, edhe pse kjo ëndërr e vonuar, ajo gjithsesi është e një rëndësie të veçantë, sepse është shënuar ajo që ka ndodhur, e kur shënohen ngjarjet e kohës me dioptrinë e afërsisë së mendjes dhe zemrës ato ruajnë në vete vlerë dhe gjurmë të pa ndryshueshme të kohës. E kjo është koha jonë me të gjitha të mirat e të këqijat që e përcjellin atë.
Marrë në përgjithësi vepra Dasma e lirisë , përmbush kërkesën e kohës, të shprehur përmes vargjeve, e cila në brendi është brumosur me vlera të rëndësishme artistike.
Pra ,për këtë përvjetor të parë të pavarësisë së Kosovës, Avni Biçkaj me tri pjesët e librit ka reflektuar vetëm një temë, e kjo është tema e madhe e ëndrrës së pritur, e cila është farkuar e sendërtuar me të mundshmen reale, e me përjetimet nga më të mirat e kësaj kohe.
Për fund, autorit Avni Biçkaj i dëshiroj shëndet, suksese e hapërime të mëtutjeshme në fushën e gjerë e të pa fund të fjalës së shkruar artistike.

Më 12 shkurt 2009

Keine Kommentare: