Nga folklori ynë:
KËNGËT E HAKMARRJES
Nga Demir KRASNIQI
Pa dyshim se ndër plagët më të rënda të historisë së popullit shqiptar, është vëllavrasja dhe hakmarrja, plagë këto që fatkeqësisht edhe në fillimin e shekullit të 21-të, nuk kanë të shëruar dhe ato vazhdojnë të hapen e të lëndojnë zemra gjithandej trojeve dhe krahinave etnike shqiptare.
Nëpër shekujt që i lamë pas, në përpjekje për shërimin e këtyre plagëve u morën shumë kanune, këshilla për pajtime, “sheriate” , ligje, por që asnjëra prej tyre nuk ia dolën kurrë që ta çrrënjosin njëherë e përgjithmonë këtë dukuri shemtuese, të kobshme dhe shfarosëse për kombin tonë.
Fenomeni i vëllavrasjeve dhe i hakmarrjeve ka shtënë rrënjë të thella edhe në traditën e folklorit tonë muzikor, me ç’ rast rapsodët – krijues popullor anonim kanë krijuar shumë këngë të kësaj natyre , duke iu thurur “himne lavdie e trimërie” vrasësve dhe hakmarrësve. Këngë të këtilla vazhdojnë të krijohen dhe të këndohen edhe në ditët e sotme, pa u ndëshkuar nga askush!
Këngët e vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për popullin tonë, e sidomos për gjeneratat e reja të cilat i konsumojnë këto këngë , edukohen dhe frymëzohen me “heroizma” ,”lavdi” dhe “trimëri” të tilla!
Këngët e vëllavrasjeve dhe të hakmarrjeve drejtpërsëdrejti nxisin , frymëzojnë dhe trimërojnë të tjerët për të bërë krime dhe për t’ u hakmarrë, nga se mentaliteti i një shtrese të pa arsimuar të popullit është i tillë, sa po sa ta dëgjojnë një këngë të këtillë, do të inspirohet, frymëzohet dhe trimërohet që të dal e ta vras dikë, apo të hakmerret ndaj dikujt, me të vetmin iluzion: se edhe atij do t’ i thuren këngë, do të këndohet në tela të çiftelisë, do të hyjë në histori, do të rreshtohet në mesin e atyre “heronjve” dhe “trimave” të cilët bëjnë vëllavrasje dhe hakmarrje!
Pos këngëve që nxisin dhe inspirojnë drejtpërsëdrejti vëllavrasjen dhe hakmarrjen, faktorë relevant të nxitjes së këtyre fenomeneve të shëmtuara , në të shumtën e rasteve janë prindërit të cilët gjatë tërë jetës së tyre i nxisin , inspirojnë , madje edha ua lënë amanet bijve të tyre që të hakmerren dhe të mos e ndalin pushkën vrastare deri në frymën e fundit të jetës së tyre!
Siç thamë edhe më lartë, në thesarin e folklorit tonë muzikor tradicional , fatkeqësisht , kemi me qindra këngë që i këndojnë vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve, ne për ilustrim të këtij studimi, kësaj radhe zgjodhëm vetëm njërën prej këtyre këngëve për të cilën mendojmë se është shembulli më tipik ndër këngët që stimulojnë vëllavrasjen dhe hakmarrjen dhe atë sipas amanetit të prindërve !
Fjala është për “Këngën e Qorr Istrefit”, këngë kjo që nuk na e jep identitetin dhe vendlindjen e protagonistit, por as kohën e ngjarjes. Tmerri më i madh i kësaj kënge, pa dyshim është momenti kur prindi – babai i quajtur Qorr Istrefi, një burrë plak, i cili sëmuret për vdekje, por nuk mund t’ i dalë shpirti pa ia lënë amanet të birit të tij Sadikut, që të hakmerret për një vrasje të ndodhur më herët, duke i treguar të birit për gjakun e pa marrë, për “hasmin” dhe emrin e tij, për vendbanimin dhe profesionin e tij!
Dhe ja se si ia le amanet babai të birit që të hakmerret, sipas vargjeve vijuese të kësaj kënge:
Qorr Istrefi, kur bani me dekë ,
Ja la t’ birit ni amanet:
“Amanet , Sadik , bre djalë –
Kem ni gjak , hala pa e marrë!
Kem ni gjak, o, gjak të ri ,
Edhe hasmin vet e di !
N’ daç për hasmin me e ditë ti –
N’ Kumanovë , po rrinë me shpi !
N’ vetsh për emën – Shaban Zotni,
Ka zanatin kundraxhi !
Biri i Qorr Istrefit – Sadiku, i cili ishte një djalë i ri, duke u inkurajuar nga fjalët e babait dhe duke u zotuar se do ta çojë në vend amanetin e tij, do të mobilizohet menjëherë dhe do të niset në rrugë për hakmarrje:
Kqyr shka bani Sadiku i ri –
Mirë poj ngon fjalët e babës tij,
M’ i ka veshë ni parë tirqi t’ zi ,
N’ shokë ma shtjen t’ shkreten allti,
N’ Kumanovë ja paska mësy !
Me të arritur në Kumanovë, ku sipas fjalëve të babait, ishte duke punuar e jetuar me familje “hasmi i tij” i quajtur Shaban Zotnia , tash hakmarrësi i quajtur Sadiku i ri, për ta kryer këtë akt mizor dhe makabër, do ta përdorë një strategji me një tradhti shumë të ulët dhe tinëzare, akt ky që nuk ka të bëjë me burrëri dhe trimëri !
Hakmarrësi i quajtur Sadik, do të shkojë në një dyqan rrobaqepësie, ku do të porosis komplet një palë rroba femrash: shall, dimi dhe çarçaf të zi, në mënyrë që të vishet me rroba femre dhe ashtu i maskuar do t’ i shkonte “hasmit” të vet në shtëpi dhe do ta vriste në pabesi :
N’ Kumanovë , kur paska hi –
Koka hi te ni terzi:
“Puna e marë, more terzi!”
“Të marë paq , more djalë i ri !”
“Fort n’ uzdajë ta kam mësy ,
Do t’ mi prejsh ni parë petka t’ ri,
Do t’ mi prejsh shallë e dimi ,
Do t’ ma prejsh çarshafin e zi !”
Rrobaqepësi, duke mos ditur qëllimin e këtij të riu tinzar dhe hakmarrës, ia pret dhe ia qepë komplet rrobat e femërs, ashtu si që i kishte porositur Sadiku, i cili do t’ i veshë ato rroba diku në fshehtësi dhe do të kalëronte nëpër rrugët e qytetit të Kumanovës, në formë të një zonje të rëndë e të panjohur :
Kqyr shka bani qaj terzi –
Ja ka pre shallë e dimi,
Po ja pret çarshafin e zi !
Po m’ i veshë Sadiku i ri –
Koka dalë Sadiku n’ çarshi .
Be po bajnë këta dugajxhi –
Kurrë këso zoje , n’ çarshi s’ ka hi !
Hakmarrësi Sadik, duke mos ditur se ku e ka shtëpinë “hasmi” i tij, i quajtur Shaban Zotnija, afrohet tek një furrtar dhe ashtu i maskuar si femër e pyet furrtarin se ku e ka shtëpinë Shaban agë Zotnija, duke e gënjyer furrtarin se kinse është një zonjë jabanxhi (e pa njohur) e cila ka humbë rrugën dhe tani kërkon konak tek ai zotëri !
Furrtari, duke mos ditur për djallëzitë e këtij të riu të maskuar e vrastar, me qëllim që t’ i dalë në ndihmë për të mos ngelur në rrugë gjatë natës, i tregon drejt se ku e ka shtëpinë Shaban agë Zotnija:
Koka shkue te ni furraxhi –
Puna e marë , more furraxhi !
-Të marë paç , ti Zojë, oj bi !
-Jam e largët jabanxhi ,
M’ ka zanë nata, nëpër çarshi,
A s’ ma njihni Shaban Agë – Zotninë,
Me m’ kallxue ku e ka shpinë?!
-Qatje naltë , përmi xhami ,
E ka marue ni çardak të ri !
Pasi ia tregon derën e Shabanit, ai furrtar vendor, Sadiku shkon drejt në derë të “hasmit” të tij dhe i troket në derë, kinse për të kërkuar konak (strehim) në shtëpinë e tij, nga se e ka nxënë nata si jabanxhike dhe ka ngelë në çarshi !
Pra, këtu hakmarrësi i quajtur Sadik, e keqpërdorë mikpritjen dhe bujarinë tradicionale shqiptare, për ta kryer hakmarrjen me tradhti :
Drejt në derë , Sadiku ja ka mësy ,
Ja ka mësy, poj cokatë n’ derë ,
Del Shabani meniherë –
Kush je ti, qi cokatë n’ derë ?
-Jam ni Zojë, jabanxhi ,
M’ ka zanë nata, jam metë n’ çarshi ,
Për konak, sonte ta kam mësy!
-Eu, hoshgjolldën Zojë, moj bi !
E merr Shabani, pe qon në shpi !
E merr Shabani, nër zoja pe qon ,
Muhabet , Shabani poj banë,
Ja ka qitë Zojës, ni skemli ,
Ju ka ungjë Shabani, karrshi ,
Po ja banë ka ni herë me sy !
Hakmarrësi Sadik Istrefi, duke vepruar me skenar të maskuar dhe tradhti të pa parë, ia keqpërdorë mikpritjen, bujarinë , bukën dhe besën strehuesit Shaban dhe duke aktruar në rol të një lavireje femër, i kërkon që sa më parë t’ ia shtrojë vendin dhe t’ ia caktojë dhomën e fjetës:
Asht ardhë vakti darkë me ngranë ,
-Lajë duert , Zojë , m’i ka thanë !
-Nuk muj darkë, sonte me ngranë ,
Ni parë ethe mue m’ kanë nxanë ,
Si ndoj vend n’ mujshi me ma ba !
Si ndoj vend n’ mujshi me ma shtrue ,
N’ mujsha pak me u rahatue !
Strehuesi – mikpritësi Shaban agë Zotnija, duke qenë i provokuar vazhdimisht nga gjestet amorale të “mysafires së panjohur”, e humb mendjen dhe iu nënshtrohet provokimeve të “mysafires”, me ç’ rast vendosë që ta kalojë natën duke fjetur bashkë me te dhe e urdhëron bashkëshorten e vet të kurorës që t’ ia shtroi dhomën e fjetjes :
Shaban Aga, shka ka marue ,
Zojës s’ vet, ju ka ngërmua:
“Shpejt, ti , sobën me ma shtrue ,
Me natë t’ sontit jam martue !”
Po shkon Zoja, tuj nemë, tuj true:
“Ti, mos pritsh Shaban, me e trashëgue !”
Hakmarrësi – mysafir, vazhdon me mashtrimet, provokimet dhe tradhtitë e tij amorale në dëm të mikpritësit dhe familjes së tij, duke ia bërë me dije që të mos flejë, nga se kah gjysma e natës do t’ i shkojë në gji Shabanit:
Kqyr shka i thotë Sadiku i ri:
“A ndigjon Shaban, zotni ,
Ni farë vakti tu ti do t’ vi !”
Kah mesi i natës, Sadiku i troket në derë të dhomës së fjetjes mikpritësit Shaban dhe i hynë në dhomë, ku sërish vazhdon me skenar të errët tradhtie, deri sa e detyron mikpritësin Shaban, që ta mbulojë kokën me jorgan, ta mbyllë dritën, deri sa t’i zhveshi rrobat, nga se gjoja po turpërohej që të zhvishej para syve të tij:
Gjysa e natës kur a ba ,
Shkon Sadiku i cokatë n’ derë –
A m’ je quuet, a m’ je fjetë?
-Nuk jam fjetë, tha, po jam quet,
Nuk po m’ merr gjumi pa ty !
Shpejt, ai , derën ja ka çelë ,
Mrend , Sadiku koka hi,
-A nogon Shaban zotni ,
Mloje kryet me jorgan t’ ri ,
Jam qillue Zojë jabanxhi,
Po m’ vjen keq me t’u deshë nër sy,
Sa t’ i hjek, unë, shallë e dimi,
Sa ta hjek këtë çarshaf të zi !
Hakmarrësi Sadik Istrefi, i cili me pabesi, tradhti , maskim dhe keqpërdorim te të gjitha traditave shqiptare, pasi që e detyron mikpritësin që ta shuaj dritën dhe ta mbulojë kokën me jorgan, i zhveshë rrobat e femrave dhe e nxjerr revolen, ku e vret Shabanin mu në shtratin e tij, mu në dhomën e tij dhe para familjes së tij, e cila ishte e tëra në gjumë!
Por “trimëria” e tij , në rolin e hakmarrjes, bëhet edhe më qyqare në momentin e kryerjes së aktit të vrasjes, kur kërcen prej dritares së dhomës dhe ikë nga ajo shtëpi :
Kqyr shka banë ai Shaban zotni ,
E mloj kryet me jorgan të ri !
Kqyr shka bani Sadiku i ri ,
M’ i ka hjekë shallë e dimi,
Ma ka hjekë çarshafin e zi,
Koka metë soll n’ tierqi t’ zi .
-A nigon Shaban zotni ?
Shploje kryet prej jorganit t’ ri ,
Unë nuk jam kush kujton ti ,
Nuk jam Zoja jabanxhi ,
Po mue m’ thonë Sadiku i ri !
E ka nxjerrë t’ shkretën allti -
Ja ka njehë shtatë mi kry’!
Prej çardakut po bjen n’ çarshi –
Shnosh e mirë ka shkue n’ shpi !
Po qe se e analizojmë këtë këngë me një mendje të shëndoshë dhe kokë të ftohtë, atëherë shumë lehtë do t’i kuptojmë tiparet, karakteret, mentalitetet, “trimëritë”, “heroizmat”, strategjitë dhe tradhtitë e aktorëve të hakmarrjeve të cilët jetojnë dhe trajtohen si “heronj” në këngët tona popullore që iu kushtohen vëllavrasjeve dhe hakmarrjeve.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen