13. MARTIRËT E KARADAKUT TË GJILANIT
Ngoni shokë dhe ju miqësia ,
Shka ka shkrue historia,
Ta këndojnë n’ kangë dhe rinia,
Ta përcjellin dhe sharkia,
Ta vështrojnë edhe njerëzia,
Se ç’ rrënim ka ba Turkia!
Kur ka ardhë turku ndër ne,
Na i ka humbë komb e atdhe,
Na i ka nrrue doke e fe.
Mallkoj Zot, dyert e Sulltanit,
Nam t’ madh bani n’ atë rreth t’ Gjilanit!
Nam të madh bani në këtë ven,
S’ guxon kush me kanë i kështen!(krishterë)
Këqyr kështenimi çka kanë punue,
Po donë turqit mej mashtrue,
Kanë nisë emnat tuj i nrrue,
Tue u ba turqë po thonë me emër,
Fenë e Krishtit tuj majtë me zemër.
Qeveritë Perëndimore,
Tue njohtë mirë Turqinë mizore,
Fort nji ditë e kanë ngushtue,
Fenë e Krishtit me e lirue!
Kjo Turqia osmanli,
Mjaft mizore, por pa fuqi,
Paska pri nji ferman të ri.
Ferman t’ ri e paska pru,
Të gjithë fenat me i liru’!
Kosovarët kur kanë nigue,
Kanë nisë fenë për me e zbulue,
Veç nji punë qi do marue,
Dikush duhet me e fillue!
Pra, e filluen nja disa burra,
Dy katunde: Binqa e Stublla.
U ka pri nji burrë me famë,
Krye fisit i gashjanë.
E për ditë t’ mrame, kur derdhet gjaku,
Me ta ishte tanë Karadaku.
Këta kreshnikë kur janë bashkue,
Me nji odë mblidhen kuvendue,
Tri ditë rresht kanë bisedue,
Dhe vendimin e kanë pru,
Sa ma parë mu besatu’,
Me Kanun t’ Lekë Dukagjinit,
N’ Qiri t’ festës e n’ Kishë t’ Shën Linit,
Se pa u gri e pa u coptue,
Fenë e Krishtit s’ kem me e lëshue,
Se s’ jem turqit e Sulltan Mexhitit,
Po jem shqiptarë të Dukagjinit!
T’ Dukagjinit, racë shqiptari,
Ne, këtë fe na e ka lanë i pari,
T’ shkojmë t’ lajmërohemi te meshtari,
Të lajmërojmë Pater Antoni,
Të lajmërojmë te ai fat i joni!
Para u del Pater Antoni,
Pater Antoni, para u ka dalë –
Mirë se erdhët burra shqiptarë,
Për dishka, ju , keni ardhë!
-Lum zotni, Zoti t’ rrittë jetën,
S’ ki se pse, ne, me na pvetën,
Se fare mirë ti naj din jetën,
Nën këtë Turqi jemi tuj hjekën!
Na, edhe emnat i patëm nrrue,
Keshe fjala, mej mashtrue,
Por qetash jemi pendue,
Kem lidhë besë e jem betue,
Me shkue turkit e mej kallxue,
Se na s’ mujm fenë me e nrrue!
-Pra, zotni, pashë Perëndinë,
Lajmëro Francën dhe Austrinë,
Amerikën e Anglinë,
Tanë Shqypninë edhe Prusinë,
Vatikanin e Italinë,
Se do t’ bahet nji mrekulli,
Do t’ na hupin me robë e fëmijë,
E si nipat e Kastriotit,
Mos mej ra mohit kombit!
Pater Antoni, si i njeu këto fjalë,
Fort iu que delli në ballë,
Ka marrë qirat e i ka kallë.
Po i kallë qirat e dyllit,
Mirë po e çelë fletat e Ungjillit,
Stolën në qafë e paska vnue,
Ka ba kryq e asht betue-
Mjaftë shumë herë kam shkrue për ju,
Me shokë t’ mi, mjaftë kam punue,
Diplomatëve letra tu u que,
Të tanë botën e kamë lajmërue,
Ç’ asht tu ba turku ndër ju!
Pra, nji besë t’Zotit, jam tuj u dhanë,
Se unë vetun s’ kam me ju lanë,
Për ju, shpirtin kam me e dhanë!
Pra, ju burra, n’ m’ nigofshi mue,
Këtë punë t’ madhe qi e kem fillue,
Hiq nuk duhet me u vonue,
Veç n’ Gilan duhet me shkue,
Hyqymetit me i lajmërue!
Tuj folë Frati e tu e nigue,
Maruen fjalët e janë fillue,
Në Gilan fill paskan shkue,
Maliq Begut i kanë kallxue –
Maliq Beg, pashë jetën tane,
Thonë kanë dalë do fermane,
Për t’ gjithë popujt n’ ylqe tane,
Si n’ Ballkan e si n’ Shypni,
Ju ka dhanun fesë liri!
E kemi ardhë sot me t’ kallxue,
Se me dhunë fenë e kem pas nrrue!
Pra, tash fenat janë lirue,
Dhe hyzmetin Ty, ta bajmë,
T’ bajmë hyzmet, të lajmë vergi,
Dhe i shkojmë mbretit n’ ushtri!
Kur i ndjeu Begu, këto fjalë,
Zemra n’ gjoks deshti me ju kallë!
Po ma thërret nji Efendi,
Efendi – Tahir Gërmovën,
Qi e kishte shitë fenë e kombin,
Qi e kishte shitë kombin shqiptar,
Për me kanë n’ Gilan, i parë!
Maliq Begu, Tahir Efendija,
Zoti i tyne ishte Turkija!
Të dy bashkë po kuvendojnë,
Plane të vështira po mbarojnë –
Katolikët, qysh t’ i farojmë?
Me këta burra po kuvendojnë,
Bjeshkët e arta po iu premtojnë,
Kurrësesi burrat s’ ,po e ngojnë!
Dikur Begu, ish idhnue,
Paska nisë me u kërcnue!
Ai Ndre Marku, kuvendar,
N’ ato vise – shpi e parë,
Burrë çeliku edhe shqyptar,
-Maliq Beg, tha, falma nji fjalë,
Me dy mende këtu s’ kemi ardhë,
Veç me kallxue ballë për ballë,
Se kombin e Krishtin s’ e lëshojmë për t’ gjallë!
N’ emën t’ shokëve , po t’ baj be –
T’ madh e t’ vogël me na pre,
E kemi sosë me dekë për atdhe,
S’ ki se pse Beg, t’ lodhesh me ne!
Efendiu edhe Begi,
Mbasi s’ mund i bani kurrqysh për veti,
E dhanë urdhrin e të gjithë i msheli!
Maliq Begu, ai shpirtzi,
Hajde nji herë, more Efendi,
Hajde nji herë, Tahir Gërmova,
Për këtë punë do t’ ndien Stambolla!
Do t’ na ndien Avdyl Mexhiti,
Nuk e len pa e lajmërue prifti!
Se këta prifta drejt me thanë,
E kanë lidhjen me krejt dynjanë!
Për me e hjekë barrën prej veti,
Po e bajnë mend, për mej que n’ gjeti!
Kanë mendu’, kanë pru vendim,
Mej que t’ shkretit në Prishtinë!
Këqyr shka banë këta të pa mëshirë,
I kanë lidhë t’ shkretit me zingjirë,
Po mi lidhin n’ zingjirë të trasha,
I quen n’ Prishtinë, te Jashar Pasha!
Jashar Pasha – turqeli,
Kur i pau të kështenët me sy –
Si kulshedra deshti mej përbi,
Po mundohet mendjen me ja u thye!
Veç mesap mundi po u shkon kot,
Hiq s’ po trembën këta Kastriotë!
Ai Ndre Marku, shka po thotë-
Nigo Pashë, pashë nji Zot,
Edhe Begut i kam thanë,
I kam thanë Begut e Efendisë,
Se me ndihmën e Perëndisë,
Nuk do t’ bahemi këlyshët e Turkisë!
S’ bahemi këlyshët e Stambollit,
Se jemi nipat e Kastriotit!
Jemi të tokave të Dukagjinit,
Nuk i bijmë mohit kombit e Krishtit!
Atëherë, Pasha u tërbue,
Xhelatxhive iu ka urdhnue-
Merrni kaurrat, n’ burg mej que,
Kundra mbretit peshë janë que!
Nisi Pasha, me mendue,
Vet s’ po mundet mej dënue,
Kongjollozët janë informue,
Jashar Pasha, nji farë veleti,
S’ po don fajin me ja lanë vetëm veti!
Thërret mexhlisin prej Prizrenit,
Për me pasë për veti mproje –
Thërret të parët prej Kumanove!
Thërret prej Shkupi e prej Gilani,
Në Prishtinë, mbledhjen e bani.
Jashar Pasha i Prishtinës,
Poj shkruen letër korcllës s’ Vjenës –
Në Kosovë asht nji milet,
Nuk janë shumë, veç janë pak krejt!
Besa-besë, mjaftë janë pak,
Veç kurrnjiherë nuk rrinë rahat!
S’ mundet kush mej rahatue,
Kundra mbretit tash janë que,
Na s’ po dojmë për me ju damtue,
N’ koftë e mujtne, te ju mej prue!
Ministria e Austrisë,
Nji përgjegjëje ja banë Turkisë-
S’ asht ai popull me këtë mbret,
Por ata janë në vatan të vet.
Janë nënshtetas të Sulltanit,
E mbas-ardhësat e Ilirijanit!
Jashar Pasha, qen i tërbuem,
Në Stamboll, letrën e paska quem-
A po e dinë Baba Sulltan,
Nji milet që këtu e kamë,
S’ pranojnë Dinë, s’ pranojnë Islam,
Veç të kështen po donë mu kanë!
Në mos kjoftë këta mej largue,
Krejt Kosova, peshë janë que,
Fenë Islame, po donë me e lëshue,
E shqiptarë mu deklarue!
Mbreti , letrën e dredhon,
Jashar Pashën, mirë po e mëson-
Jashar Pasho, more zotni,
Banë qysh t’ munesh me ata kaurrijë!
E n’ mos mujsh menjen ma ja u thy’ –
Të gjithë syrgjynë, bjermi n’ Turki!
Se n’ Turki, ja u bajmë na çarën ,
Me njiherë ja u hupim farën!
Ishalla Pashën, Zoti e hupë –
I muer t’ burgosnit e i qoj në Shkup!
Selim Pasha, meni s’ priti,
I pranoj të shkretit e n’ burg i qiti!
Veç këta burra , hiq s’ po kanë dert,
Si martirë, po bajnë gajret!
Histori, ti kjofsh bekue,
S’ po len emnat mej harrue!
Pra, këta emna n’ histori,
Poj përmendim edhe n’ sharki.
A po ngon, or Mali i Zi i Shkupit,
Qi je que kundra turkit?
A po ngoni, more Karadak?
Po ju lutëm vështroni pak,
Si ke i ri e si ke plak!
Këta emna qi poj këndojmë,
T’ i mbajmë n’ mendje, mos t’ i harrojmë!
E tash unë po i filloj,
Dhe disa emna poj lexoj:
Ndre Hyseni, Pjetër Smajli,
Prek Alija, Gëzim Selmani,
Që ky asht ai nji sopjani,
Bardh Ahmeti e Shyt Sinani.
Haj medet se shka me kanë,
Të gjithë këta burra janë Biçnjanë,
Sot për Biçën tonë u ba nami,
Për kurbana poj lypë Sulltani!
Tash poj këndoj edhe do burra,
Kreshnik malesh të gjithë nga Stublla.
Djem të lehtë porsi skifteri,
Qi për fe edhe atdhe,
E dhanë jetën si me le:
Gjergj Gashi, Ramë Murtezi,
Pjetër Tuna, Dokë Hyseni,
Ai Zef Jahja, Murat Andrea,
Trima të rrebët , bash sikur rrëfeja.
Gustin Zeka, Pjetër Koliqi,
Të fortë si guri e si çeliku,
Gjeli i Memës, Flamur Murtezi,
Me shokë t’ vet, po m’ i lypë mbreti!
Fitër Kola, Luani i Bekës,
Burra t’ fortë, kreshnik të bjeshkës.
Ndre Stublla, djalë i ri,
Kambët e tija ishin ngri,
Ja pret mjeku turqeli.
Selim Pasha, turk i tërbuam,
Fort këta njerëz asht tu i munduem,
Nuk len asnji me i vizitue,
S’ len ushqim kush me ju que!
Patër Antoni, fort ish ngushtue,
Ka hypë kalit, n’ Shkup ka shkue,
Ipeshkvit n’ Prizren , ju ka lajmërue –
Famullia më maroi mue,
N’ burg të Shkupit , m’ i kanë prue,
Nja të gjallë s’ dojnë me ma lëshue!
N’ katër anët e botës, ipeshkvi ka shkrue,
Selim Pasha e paska hetue,
Pater Antonin e kanë burgue,
Tue rrehë, tue mundue,
Vargorët, n’ kambë ja paskan vnue!
Po sa u mëshel Pater Antoni,
Erdhi letra prej Stambolli-
Mblidhni kaurra gjithë sa të doni,
Mblidhni të gjithë me gra , me fëmijë,
Me mi pru syrgjyn n’ Turki!
Selim Pasha , i ngrani i dreqit,
Ja qon letrën Maliq Begit –
Mblidhe shpejt atë farë t’ miletit,
Kurban do t’ ja qojmë mbretit!
Mblidhnjau robt e mbldhnjau fëmijë,
T’ gjithë t’ i nisim për Azi!
Maliq Begu, satrapi plak,
Ai barbar për Karadak,
Merrni plakat e merrni t’ rejat,
Merrni pleqtë e merrni t’ rijtë,
Merrni gratë e merrni fëmijtë,
Mos u leni asnji në shpi,
Mos u leni asnji për çare,
Se ka thanë Sulltani mej qitë fare!
E tatarët po këlyshët e tij,
Mblodhën pleqë e mblodhën t’ rijë,
Deshë e dathë me gra e fëmijë,
E për Shkup i kanë fillue,
Tuj i rrehë rrugës e tuj i mundue,
E në Shkup t’ shkretit, kur kanë shkue,
Me mashkujt e vet nuk janë bashkue!
Zot i Madh, ti kjofsh lavdue,
Kur nër veti janë bashkue,
Si u bashkuen të gjithë nër veti,
T’ lodhun uni e t’ lodhun eti,
Plasi vaji, plasi kiameti,
T’ lodhun eti e t’ lodhun unit,
Me ju dhimtë gurit e drunit.
Vajtojnë zojat e Malësisë -
Ah, mori dera e Osmanlisë,
Të vraftë dora e Perëndisë,
Nam t’ madh bane n’ fis t’ Shqypnisë!
Për me mujtë me ja marrë Atdhenë,
Me gazep ia nrrove fenë!
Ai qi s’ deshti fenë me nrrue,
Atdhenë e vet u desht me e lëshue!
Nji pjesë duelën n’ Kalabri,
Me qindra- mijëra u shkrinë n’ Serbi,
Kelmendasit kah Austria,
Shumë të tjerë kah Bullgaria,
Do i qiten në viset e veta,
I lëshuen fushat e dielën n’ kepa.
Karadaku i Gilanit,
Tash ra n’ kthetrat e luanit,
N’ dorë të këlyshëve të Sulltanit!
Mali i Zi i Shkupit,
Ra në dorë tirane të turkit!
Selim Pasha nji qen qafirit,
Për me zhduken fisin arbëror,
Nisi njerëzit për Augorë,
Nisi njerëzit për rrugë t’ mërgimit,
Për qejf të shkaut e mllef të dinit,
Në drejtim të Selanikit.
Në drejtim me gjetë Stambollin,
Kanë me veti Patër Antonin.
Kanë me veti atë farë fratit,
Shpesh po e lidhin ndër bark të kalit!
Rrugë e vështirë për fis t’ shqiptarit,
Bash si rruga e Kalvarit!
Gra e fëmijë n’ do kerre t’ vjetra,
Burrat n’ kambë lidhun me hekra!
Bjeshkëve të Sharrit po vajton zana,
Vaj medet, mori nana të shkreta,
Se n’ gazep po u shkojka jate,
Tuj u kthye shpinën trojeve t’ veta,
Tuj pri burri i lidhun me hekra,
Lidhë me hekra tuj i ra zaptiu,
E nanave t’ shkreta me fëmijë për gjiu!...
Rruga Shkup e Selanik,
Zaptiu ndiq e shqyptari ikë,
Kur u lodhte e therrshin n’ thikë!
E therrte n’ thikë e gjuejke n’ prrue,
Britte i shkreti:"Kuku për mue!"
Atëherë britshin edhe gratë e mjera,
Tash e hajnë bishat e egra!
Po mi gjuejn pyjeve të Kepit,
N’ Selanik, mbërri ishin kanë,
T’ lodhun, t’ kputun e shpirt tuj dhanë,
Pleq e t’ rijë, burra e gra,
Tuj fshi lotët e me za tuj kja.
Tuj fshi lotët si ujët e gurrës,
Për ata qi u mbetën rrugës!
U mbeten rrugës prej gazepit,
Tuj i ngranë bishat e peshqit e detit!
N’ Selanik, kur paskan ardhë,
Nji kongjolloz, para u ka dalë,
Mirë po e këqyrë këtë grup shqyptar,
N’ tirq e n’ hekra, n’ plisa t’ bardhë,
Gratë me zhguna me lidhësa n’ ballë!
Dhimbë poj bje telektualit,
Kur pau fratin ndër bark të kalit!
Fort i briti kapedanit,
Fort i briti atij zabiti –
More i poshtër ç’ të bani prifti?!
More i poshtër, çka të bani,
A deshte vet, a të tha Sulltani?!
A vet deshte me e mbytë të shkretin?
Pra, ta dijshë edhe lajmëroje mbretin,
Se herë do kurë ia shihni sherrin!
Edhe fratin duerve ia hjek,
E ka marrë dhe e çon n’ shpi t’ vet.
Në shpi të vet e paska que,
Me mjek të vetin tue mjekue.
Kongjollozi i Hingilizit,
I përcjellun prej nji priftit,
Shkoj te i pari i Selanikit,
Shkoi te i pari, me ta ka folun,
Guverner, lajmëro Stambollin!
Shpejt Stambollin me e lajmërue,
Këta njerëz mirë mej strehue!
Ç’ bani i pari i Selanikit –
Nji xhemi ia lypi mexhlisit!
Nji xhemi krejt shpartallue,
Këta martirë i ka ngarkue.
I ngarkon martirët e shkretë,
Për n’ Azi, diku me i tretë!
Perëndi, ti kjofsh nderue,
N’ Selanik, nji prift kish qillue!
Nji prift i ri – Dom Leonardi,
Si detyrë që e ka meshtari,
Mirë martirët i ka hetue,
Me nji barkë t’ keqe, të gjithë ngujue!
Prifti, mirë ka organizue,
Me anë të miqve me ju ndihmue,
Do veshë-mbathje, ushqim me ju que!
Ah, more Zot, të kjofsha falë,
Nja prej tyne, s’ po jet i gjallë,
Të gjithë të sëmutë e tuj u kallë!
Të gjithë të sëmutë e tuj u kallë eti,
Tuj dekë t’ shkretit, e tuj hedhë n’ deti,
Kush s’ e mbanë mend kësi kiameti!
Me të vërtetë se shka kanë hjekë,
Këta martirë shqiptarë të shkretë,
Numri i tyne të tregon vet,
Prej Kosove e deri në det,
Ishin nisë njiqind e tetëdhjetë,
Tuj dekë rrugës, tu i hedhë në det,
Shih nji herë se sa kanë mbetë,
Fëmijë e burra, ashtu edhe gratë,
Tash kanë mbetë shtatëdhjetë e gjashtë!
Mori xhemi, ti kjofsh mallkue,
Kah je nisë, kah je fillue,
Kah po don këta njerëz mej que?!
-Deri në Brusë, mu m’ kanë urdhnue,
Guvernerit me ja que!
N’ Brusë, të shkretit, kur kanë shkue,
Guverneri ka urdhnue –
N’ Muhaliq, këta njerëz mej que!
N’ Muhaliq, kur paskan mbërri,
Me nji burg të vështirë i kanë shti!
Me nji han – burg, i kanë ngujue,
Bukë, as ujë nuk ju kanë que,
As s’ kanë shtroje, as s’ kanë me u mbëlue!
N’ Ipeshkvi i kanë hetue,
Se n’ çfarë burgu i kanë que –
Kongjollozët i kanë lajmërue!
Kongjollozët i lajmëroi me nji heri,
Të tre shkuen te Guverneri.
Guvernerit i kanë kallxue –
N’ Muhaliq, po dojmë me shkue,
Do njerëz n’ burg me i vizitue,
Rojën e burgut me i lajmërue,
Mos t’ gabojnë me na ndalue!
Këqyr shka bani Guverneri –
Nji gafaz t’ vetin jau dha me veti,
N’ Muhaliq, kur paskan hy ,
Shka me pa, o Zot, me sy:
Burra e gra, pleqë e fëmi’,
Tmerrë e madhe u paska hi!
U ka shti trishtim e mnera,
Katër t’ vdekun, të qitun te dera,
Kishte nisë me ju ardhë era,
Fort po kjajnë ato gra të mjera!
Kongjollozët kanë urdhnue –
Nji vend vorresh me e caktue,
Këto xhenaze me i vorrue!
Nji vend vorresh jau kanë lëshue,
Ata të dekunit i kanë vorrue.
Abat Jacinti ka fillue,
Kur kërkoi Ipeshkvi i vendit,
Ja mbërrinë motrat prej kuvendit.
Nja tri motra, si tri shejtnesha,
U prunë ushqim dhe u prunë tesha.
Ato motra, por sa kanë ardhë,
U ba burgi por si spital!
Hiq këto motra nuk po pritojnë,
Ditë e natë aty punojnë,
Jau rrojnë teshat, ju shtrojnë dhe i mbulojnë,
Dhe me barna po ju ndihmojnë.
Motrat tjera , qi po jau qojnë,
Këta martirë, jetë kur po nrrojnë,
Me shyhret nër vorre po i qojnë.
Ishin kanë motra burrnore,
Këqyr shka banë në ato vorre,
Ishin me fis Arbënore,
Kanë marue nji përmendore.
Përmendore n’ mermer të bardhë,
I kanë shkrue nja dy – tri fjalë:
"Këtu pushojnë martirë shqyptarë,
Nga Binça e Stublla – kosovarë!"
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen