Dienstag, 28. Juli 2009

PROTESTANT


Krishterimi protestant ndër shqiptarët fillon me dy letra të skocezit Robert Pinkerton në lidhje me Shqipërinë, njëra në vitin 1816, kurse tjetra në 1819-n. Pinkertoni punonte për Shoqërinë Biblike Britanike dhe të Huaj.


Më 1819, Shoqëria dha 300 stërlina angleze për përkthimin e Dhiatës së Re në shqip dhe Dr. Vangjel Meksi u caktua si përkthyes. Por Dr. Meksi vdiq pa e përfunduar të gjithë projektin. Puna redaktuese iu caktua arqipeshkvit Grigor Gjirokastriti, dhe më 1824 u botua ungjilli i Mateut.


Më 1827 botohen katër ungjijtë në Korfuz. Një vit më vonë u botua gjithë Dhiata e Re paralelisht si tekst edhe në gjuhën greke. Po në vitin 1828, Pinkertoni i shkruan edhe një letër tjetër Shoqërisë që të përkthehen në shqip psalmet. Ndihmesë të madhe në këtë shërbesë botimesh dha Aleksandër Thomson, i cili erdhi vetë në Shqipëri në vitin 1863 dhe vuri re mungesën e misionarëve e të kishave ungjillore.


Në vitin 1864, Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj arriti të punësojë Kristoforidhin, i cili kishte kryer Kolegjin Protestant në Maltë. Më 1865 erdhën dy anglezë (njëri në Janinë e tjetri në Shkodër) për të përhapur ungjillin si shitës shëtitës, dhe misionari që ishte në Shkodër, vjen edhe në Pejë, Prizren, Prishtinë etj. Më vonë pati edhe shitës të tjerë, dhe shitësit ishin misionarët e vetëm deri në vitin 1873.


Kristoforidhi përkthen gjithë Dhiatën e Re prej greqishtes në vitin 1866 (edhe sot e kësaj dite përkthimi i Kristoforishit mbetet përkthimi më i mirë në shqip). Dhiata e Re botohet në dy dialekte, kurse më 1880 botohen edhe disa libra të Dhiatës së Vjetër.


Botime të tilla të fjalës së Perëndisë në gjuhën shqipe u kryen në mes të një atmosfere persekucioni dhe rreziku. Porta e Lartë disa herë i burgosi njerëzit e librave, pengoi dhe ndaloi botimin e tyre, i dogji librat, etj. Por anglezët ishin këmbëngulës si në botimin e Dhiatës së Re, ashtu edhe në përhapjen e librave.


Viti 1873 është një vit i rëndësishëm në historinë e krishtërimit protestant në Shqipëri. Në këtë vit, vijnë për herë të parë në Shqipëri tre misionarë amerikanë: Xh. Berd, Xh. Marsh dhe Xh. Hauz. Ata vendosen në Manastir dhe tre vjet më vonë, në vitin 1876, frytet e para të kishës së parë protestante ungjillore shqiptare vihen re mes shqiptarëve të Manastirit. Dy shqiptarët e parë që u bënë protestantë më 1876 ishin Nikolla dhe Dhimitri nga Manastiri.


Në vitin 1877 Gjerasim Qiriazi lë fenë ortodokse dhe pranon protestantizmin. Një vit më vonë, Qiriazi shkon në Seminarin Amerikan të Samakovës në Bullgari. Pas mbarimit të studimeve biblike në vitin 1882, Qiriazi punon fuqimisht për ungjillin. Puna e tij ishte e përqëndruar më shumë në Korçë, por ai shkoi edhe në kishën ungjillore të Prishtinës, në të cilën shërbente një pastor bullgar.


Më 1884 Qiriazi mbajti shërbesën e parë ungjillore në gjuhën shqipe në Kishën Ungjillore në Selanik. Po në këtë vit, Qiriazi bëhet përgjegjës për shpërndarjen e literaturës ungjillore në shqip.


Prej vitit 1886, numri i shëtitësve shqiptarë filloi të shtohej gjithnjë e më shumë, por, në të njëjtën kohë, edhe antagonizmi ndaj punës ungjillore rritej. Porta e Lartë, Kisha katolike, Kisha Ortodokse, myslimanët dhe analfabetizmi ishin disa nga pengesat, me të cilat ballafaqoheshin besimtarët shqiptarë të kësaj kohe.


Në vitin 1890 Qiriazi shugurohet “predikues i popullit shqiptar”.

Për dy vjet me rradhë, deri më 1892-shin, Qiriazi së bashku me motrat e tij dhe ungjillorë të tjerë themeloi në Korçë pesë “institucione”: Shkollën e të Dielës, Shkollën e parë për Vajza, Kishën Ungjillore, Shoqatën ungjillore-letrare “Vëllazëria Ungjillore”, si dhe gazetën “Letra e vëllazërisë” (e para që u shtyp në shqip në Shqipëri). Në dimrin e vitit 1893 Qiriazi u zu peng nga kaçakët për gjashtë muaj dhe si pasojë e kësaj, vdiq në janar të vitit 1894. Vdekja e tij ishte humbja më e madhe e gjithë lëvizjes ungjillore shqiptare.


Por ungjillorët shqiptarë nuk e braktisën besimin e tyre, edhe pse sfidat ndaj këtij besimi ishin të mëdha. Në fillim të shek.XX, misionarë të tjerë erdhën në Shqipëri, mes të cilëve shquheshin çifti Kenedi, Edwin Jasques, etj., të cilët ndihmuan në themelimin e Misionit Ungjillor Shqiptar më 1922. Por në vitin 1933, me urdhërin e Mbretit Zog u mbyllën dhe u ndalua gjithë veprimtaria shkollore ungjillore e Korçës. E megjithatë, gjatë kësaj periudhe e në vazhdim, prej vitit 1937-1939, kisha e Korçës përjetoi një rritje shumë të madhe dhe si pasojë, vazhdoi të funksiononte deri në vitin 1940, kur u shpërnda nga fashistët italianë.


Përsa i përket kishave të tjera ungjillore shqiptare, fatkeqësisht, nuk ka shënime të regjistruara apo të arkivuara gjëkund. Në Kosovë, sipas të dhënave, dihet se kishte dy kisha ungjillore në Prishtinë: njëra ishte në funksionim deri në vitin 1943, dhe tjetra ishte një kishë metodiste deri në fillim të viteve ‘60 me qendër përballë Kuvendit të Prishtinës. Në Prishtinë është i njohur po ashtu edhe mikrotoponimi: “vorret e evangjelistëve”. Ka dëshmi edhe për takime lutjeje të një grupi ungjillor në Shkollën “Sami Frashëri” gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1949.


Figura të ndryshme, që janë shprehur në favor të krishterimit protestant tek shqiptarët ose që e kanë ndihmuar përhapjen e këtij krishtërimi me autoritetin dhe pasuritë e tyre kanë qenë: Elena Gjika, Asdreni, Faik Konica, Naim Frashëri, Fan S. Noli, Nikolla Naço, Pandeli Sotiri, Sami Frashëri, Mihal Grameno, Kristo Dako, Mid’hat Frashëri, etj. Figura kombëtare që u ç’kishëruan nga Kisha greke për shkak të bindjeve të tyre fetare dhe kombëtare kanë qenë: Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastri, Panajot Kapitari, Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Nikollë Naço, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Petro Nini Laurasi, K. Kristoforidhi, Thanas Sina, Kristo Shuli, Sevasti Qiriazi, etj.


Karakteristika kryesore e ungjillorëve shqiptarë ishte vizioni i tyre rilindës për Shqipërinë, d.m.th. themelimi i shkollave dhe botimi e përhapja e librave në shqip. Një vizion i tillë gjeti përkrahjen e të gjithëve. Sot ndoshta ende nuk do të kishim një alphabet në gjuhën shqipe, pa rolin dhe kontributin, që luajtën ungjillorët shqiptarë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 (shiko Roli kombëtar i kishës protestante në bërjen e Alfabetit shqip: HISTORIA E PANJOHUR E KONGRESIT Të MANASTIRIT). Kredoja e veprimtarisë së tyre ungjillore ishte: Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë!


Shkruar nga Dr. Femi Cakolli, pastor Redaktuar nga Magda Maylam

Keine Kommentare: