Samstag, 1. August 2009
NGA TRADITA JONË
Nga tradita jonë :
MOTRAT MUSTAFA – KËNGËTARE ME TRADITË DHE KULTURË UNIVERSALE KOMBËTARE
Dasmat dhe ahengjet popullore sot
Sezoni i pushimeve verore në periudhën prej datës 15 Korrik deri më datën 15 Gusht, ka shumë vite që është shndërruar në sezon të dasmave, fejesave, martesave, konagjeçeve , synetive dhe ahengjeve tjera familjare .
Këtë sezon e ka imponuar realiteti kohor mbi trojet shqiptare, nga se të pakta janë ato familje të cilat nuk i ka prekur virusi i kurbetit, apo mërgimit. Por, edhe ato pak familje të cilat nuk i ka prekur ky virus, nuk kanë shpëtuar pa u prekur në rrethin e gjerë familjarë, në rrethin miqësor dhe në rrethin e ngushtë shoqëror .
Andaj, në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga virusi i kurbetit, në ditët e sotme është e pa mundur që ndonjë familje ta organizojë ndonjë aheng familjarë, dasmë, fejesë , apo ndonjë ceremoni tjetër tradicionale familjare dhe të mund t’i tubojë të gjithë rrethin familjarë, rrethin miqësor, apo rrethin shoqëror, nga se shumica e njerëzve tanë janë tretur anë e kënd rruzullit tokësor, duke bredhur rrugëve të kurbetit të zi, duke kërkuar punë dhe kushte më të mira për të mbijetuar, duke u ndarë nga familja, vendlindja, atdheu, dasmat, vdekjet dhe nga gjithë bota e të gjallëve me të cilët kanë lindur, janë rritur dhe e kanë ndarë së bashku të ëmblën dhe të hidhurën !
Në anën tjetër, nga rrethanat e rënda ekonomike dhe papunësia e madhe që mbretëron në Kosovë, por edhe në mbarë trojet tjera etnike shqiptare, edhe ato familje që kanë ngelur të vetmuara pa një pjesë më vitale të pjesëtarëve të tyre, përkundër dëshirës së madhe të tyre që të bëjnë ndonjë dasmë martese, fejese, apo ndonjë aheng tjetër familjarë , kushtet e rënda ekonomike dhe varfëria e skajshme nuk ua mundëson që të organizojnë këso dasmash e ahengjesh, nga se kostoja e një dasme, apo ahengu familjarë, sot ka një çmim shumë të lartë .
Duke u nisur nga këto rrethana të krijuara nga koha më e re, sot familjet shqiptare janë të shtrënguara që dasmat e martesave, fejesave dhe gazmendet tjera familjare, t’i organizojnë ekskluzivisht në sezonin e pushimeve verore, gjatë gjysmës së dytë të muajit Korrik dhe gjysmës së parë të muajit Gusht, me shpresë se sado pak do të krijohen kushtet më të volitshme për t’ u bashkuar së paku një herë në vit, me më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, nga se dasmat , as gazmendet tjera familjare nuk do të kishin kuptim, as gëzim pa praninë e të gjithë njerëzve më të afërm të familjes.
Për ta arritur sado pak këtë qëllim, familjet shqiptare janë të shtrënguara që terminet e dasmave të tyre , t’ i caktojnë së paku 6 muaj më përpara, apo ndoshta edhe një vit më përpara dasmës ! Këto termine caktohen kaq herët me të vetmin qëllim: që të kenë kohë të mjaftueshme kurbetçinjtë për t’u përgatitur materialisht dhe me dokumentacione të nevojshme për udhëtime në vendlindjet, familjet dhe atdheun e tyre.
Nga këto shkaqe, janë krijuar krejtësisht rrethana të reja në dasmat tona dhe më nuk respektohet tradita e vjetër, kur dasmat dhe ahengjet tjera familjare bëheshin ekskluzivisht ditëve të Enjte, apo të Dielave. Edhe kohëzgjatja e dasmave tona , më nuk është sikur dikur , që një dasmë zgjaste hiq më pak se tri ditë e tri netë , bile në raste të jashtëzakonshme , ndonjë dasmë zgjaste edhe me javë !
Tani më nuk shikohet se në cilën ditë të javës do të organizohen ceremonitë e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare, madje ato organizohen edhe në termine të para-ditës, por edhe në kohët e mbrëmjes , ku kohëzgjatja e ceremonive dhe ahengut zgjatë maksimalisht deri në 6 orë .
Ngarkesat kaq të mëdha dhe të dendura të gazmendeve të ndryshme familjare, kanë bërë që në këtë sezon veror, të shtohet konkurrenca e sigurimeve të lokaleve hoteliere dhe konkurrenca e sigurimeve të këngëtarëve dhe grupeve të ndryshme muzikore për argëtimin dhe disponimin e mysafirëve dasmorë .
Mu nga këto rrethana, u janë krijuar kushte ideale hotelierëve dhe grupeve artistike , që t’ i vjelin mirë organizatorët e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare, duke akorduar çmime astronomike si për shërbime hoteliere, ashtu edhe për shërbime muzikore dhe argëtim të dasmorëve . Kështu që , duke e respektuar sezonin veror që në fakt , kalon shumë shpejtë , organizatorëve të dasmave dhe ahengjeve tjera familjare, shpeshherë nuk u mbetet hapësirë për të manipuluar me përcaktimin e çmimeve, por për të tillët më e rëndësishmja mbetet sigurimi i lokaleve hoteliere dhe sigurimi i këngëtarëve dhe grupeve artistike, pa i pyetur fare për çmimin?!
Nëse bëjmë një analizë të thukët dhe një matematikë të thjeshtë rreth shpenzimeve globale të një dasme sot, na del se për to shpenzohen aq shumë para, sa mund të ndërtohet komplet një shtëpi mesatare moderne dhe e mobiluar për banim të një familjeje.
Merrni me mend kur një dasmë ka të ftuar 300- 500 mysafirë dasmorë dhe ata gjatë tërë natës hanë e pinë në hotel, apo restorant, çka të duan dhe për secilin person duhet paguar minimum nga 12 Euro, ku do të na del llogaria përfundimtare?!
Për disponimin dhe argëtimin e atyre dasmorëve, do të paguhen këngëtarë dhe orkestra me çmime prej 2500 Euro deri në 3500 Euro ! Ku janë shpenzimet tjera familjare rreth përgatitjes së dasmës në shtëpi, rrobat e nusërisë, mobilet e dhomës dhe kur të llogariten të gjitha këto të dhëna, atëherë do ta kuptojmë se çfarë shpenzimesh bëhen sot për finalizimin e një dasme familjare?!
Por, të gjitha këto shpenzime, mundime dhe përpjekje bëhen me të vetmen arsye dhe qëllim:- Që së pakut një herë në vit , të bashkohen familjet, miqtë dhe shokët për t’u parë në mes veti, për t’u çmallë, për t’u argëtua së bashku, për të këndua e vallëzua së bashku, e pastaj sërish do të vazhdojë ndarja, malli , lotët, dhembja dhe etja për t’ u parë me njëri – tjetrin plot 11 muaj deri në verën tjetër , kur nuk do të dihet se kush do të lindë, kush do të martohet, as kush do të largohet nga kjo botë ?!
Një dasmë që do të mbahet mend për të mirë dhe të mbarë
Të Mërkurën mbrëma, më datën 29 Korrik të vitit 2009, miku im, poeti popullor dhe adhuruesi i flakët i këngës dhe folklorit tradicional popullor, zotëriu Vahid Nasufi nga Kërçova , mërgimtarë në Zvicër , kishte organizuar dasmën e martesës së djalit të tij të hasretit – Arlindit me Dëshirën nga Kërçova .
Për këtë dasmë të madhe familjare , Vahidi që herët kishte rezervuar Restorantin ekskluziv “Dardania” në Kërçovë dhe krahas tij, kishte rezervuar qysh herët yjet e Estradës kosovare – Motrat Mustafa me orkestrinën e tyre , që do të kujdeseshin për ahengun , argëtimin dhe disponimin sa më të mirë të mysafirëve të tij dasmorë .
Pronari i kësaj dasme, z. Vahid Nasufi , i kishte ftuar mysafirët e tij, plot 6 muaj përpara ditës së caktuar për këtë dasmë . Kishte ftuar shumë familjarë, miq, shokë, dashamirë , jo vetëm nga Kërçova , por gjithandej trojeve dhe krahinave shqiptare, po edhe shumë miq e dashamirë nga diaspora . Numri i mysafirëve pjesëmarrës të kësaj dasme ishte vështirë të përcaktohej edhe pse salla e restorantit ishte mjaftë e madhe , dukej se po gumëzhinin mysafirët mu sikur bletët në hojet e koshiqeve të tyre .
Zoti i dasmës , bashkë me familjarët e tij, i mirëprisnin mysafirët dasmorë të rreshtuar para hyrjes së restorantit, mu ashtu si që është mikpritja tradicionale shqiptare dhe për secilin mysafir angazhoheshin që t’ i vendosin nëpër ulëset dhe tavolinat meritore.
Ajo që na ra në sy që në hyrje të restorantit e që dallonte nga shabllonet e traditave të vjetra , ishte fakti se në këtë dasmë askush nga mysafirët dasmor nuk ishte i ngarkuar me dhurata të shtrenjta e pompoze, sikur që shihej dikur në dasmat tjera , por të gjithë i kishin duart e lira dhe të zbrazura ?!
Stop dhuratave , “urimeve dhe përshëndetjeve” dasmore !
Ajo që na befasoi për të mirë dhe të mbarë në këtë dasmë, ishte thyerja e një shablloni të vjetër tradicional, nga ana e Zotit të dasmës – Vahid Nasufi , i cili për herë të parë në historinë e dasmave tona popullore , në ftesat e dërguara për pjesëmarrje të mysafirëve në dasmën e martesës së djalit të tij, pos fjalëve më të përzgjedhura që i kishte shprehur në ato ftesa, kishte bërë edhe një befasi të këndshme dhe të pa parë deri më sot , ku në një shtojcë speciale të shkruar me ngjyrë të kuqe, kishte shkruar kështu:
“Ju lutemi, që të mos na sillni dhurata dhe të mos dërgoni “urime e përshëndetje” përmes ansamblit muzikor gjatë dasmës “!
Kjo “vërejtje” nga ana e Zotit të dasmës, sikur ua lehtësoi frymëmarrjen dhe pjesëmarrjen të gjithë atyre dasmorëve dhe dashamirëve të cilët kishin marrë rrugë për në dasmën e tij në Kërçovë . Por, njëkohësisht kjo “vërejtje” u mirëprit nga të gjithë dasmorët , nga se blerja e dhuratave të shtrenjta për t’i dërguar nëpër dasma dhe porosia e këngëve në formë të “urimeve dhe përshëndetjeve” përmes mikrofonit dhe këngëtarëve të dasmës, shumë kënd e vë para aktit të kryer , nga se shumica prej tyre nuk posedojnë kushte të mira materiale për të blerë dhurata luksoze dhe për të porositur nga disa herë këngë në formë të “urimeve dhe përshëndetjeve të veçanta”, andaj edhe bien në pozita të pa lakmueshme para dasmorëve të tjerë , nga të cilët me siguri se do të ndaheshin të turpëruar dhe kokulur !
Lidhur me eliminimin e këtyre dy dukurive të praktikuara kohë të gjatë nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore , Zoti i dasmës Vahid Nasufi, para dasmorëve të vet e tha publikisht:
“Unë, ju kam ftuar në dasmën e martesës së djalit tim – Arlindit, për ta ndarë së bashku gëzimin tim jetësor familjar! Nuk ju kam ftuar për të iu gjobitur me të holla e dhurata të ndryshme , nga se gjatë tërë jetës sime kam punua për t’ ia siguruar jetën, kushtet dhe ekzistencën djalit tim. Kam punuar për t’ ia siguruar dasmën, shpenzimet e ahengut dhe të gjitha gjërat e nevojshme, pa e ngushtuar askënd tjetër!
Kam punua për t’ ia siguruar edhe grupin e këngëtarëve dhe orkestrinën për argëtimin sa më të mirë të mysafirëve tonë dasmorë, andaj nuk e shoh të arsyeshme që ta bllokojmë muzikën me të ashtuquajturat “urime e përshëndetje të dasmorëve tanë”, nga se jemi të vetëdijshëm se secili prej jush , jeni nisur nga shtëpitë e juaja, me dëshirat dhe urimet më të përzemërta për të na e uruar dasmën dhe martesën e djalit tonë! Prandaj, nuk ka nevojë që përmes mikrofonave të bëhen “urime”, duke shpenzuar para më kot dhe duke i vu në pozita të pa lakmueshme dasmorët të cilët nuk e kanë xhepin aq të rëndë, sa të shpenzojnë edhe për këso lloj urimesh”!
Zoti i dasmës, Vahid Nasufi , kësaj radhe i theu edhe dy shabllone tjera të praktikuara në traditat e dasmave tona popullore . Ai , nuk i lejoi mysafirët dasmorë që t’ i dhurojnë para nuses gjatë ceremonisë së vallëzimit për krah bashkëshortit të saj ! Po ashtu gjatë ahengut të kësaj dasme , nuk u lejua absolutisht as përdorimi dhe konsumimi i pijeve alkoolike !
Këto dy “ndalesa” konsiderojmë se janë shumë të mirëseardhura dhe shumë të dobishme për të gjithë dasmorët dhe organizatorët e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme popullore .
Ndalesa e parë, që kishte të bëjë me mosdhënien e dhuratave me para, nuses gjatë vallëzimit të saj, ndikon shumë pozitivisht ndaj të gjithë mysafirëve të pranishëm dasmorë, nga se në aktet e kësaj ceremonie , shumë shpesh ka ndodhur që dikush nga dasmorët e pranishëm, të prirë nga mendja e madhe, ua kanë dhuruar nuseve nga një shumë të madhe parash, të cilat ia varnin nëpër duar e shami, për t’u reklamuar para dasmorëve tjerë, se gjoja, ata janë njerëz shumë të pasur dhe shumë të dashur të familjes së dasmorit ! Në rastet e këtilla, dhurata në para, të cilat ia dhuronin nuseve njerëzit me xhep më të hollë, ngeleshin nën hijen e atyre “më të pasurve”! Në anën tjetër, njerëzit e shtresave të varfra , dilnin nga sallat e dasmave, të skuqur, të turpëruar dhe kokulur para të gjithë të tjerëve !
Ndalesa e dytë , që kishte të bënte me mos-shërbimin dhe mos-konsumimin e pijeve alkoolike, gjithashtu është shumë e mirëseardhur dhe shumë e dobishme , nga se në një ambient të tillë ahengu familjarë, në mesin e të cilit gjenden vajza, gra, nuse, plaka, pleq, fëmijë, burra, beqarë...të lloj-lloj mentaliteti, shpesh herë mund të ndodhë që dikush prej tyre ta humb kontrollin e mirësjelljes dhe të bëjë ndonjë sjellje, apo ekses të pahijshëm , nga i cili do të ketë pasoja të pa parashikueshme dhe mund të vije deri tek prishja e dasmës !
Nga konsumimi i pa kontrolluar i pijeve alkoolike nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, jo rrallë herë, ka ndodhur që të vijnë deri tek rrahjet, kacafytjet dhe përleshjet ndër më të ndryshme në mes të dasmorëve prezent . Po ashtu, nga përdorimi i tepruar i pijeve alkoolike nëpër dasmat e ndryshme popullore, në disa raste ka ardhur edhe deri tek sulmet e ndryshme në zemër të ndonjë dasmori, i cili nuk ka ditur të ndalet duke vallëzuar gjatë tërë natës, madje nën vapa të mëdha vere, derisa të tillët kanë përfunduar jetën tragjikisht nga sulmet në zemër, me ç’ rast edhe ua kanë prishur dasmat organizatorëve të tyre !
Stop muzikës dhe këndimit “Tallava” ! Stop “urimeve dhe përshëndetjeve” në dasmat dhe ahengjet familjare !
Zoti i dasmës, Vahid Nasufi, krahas angazhimeve dhe shpenzimeve tjera rreth përgatitjes dhe organizimit sa më të mirë të dasmës së tij, rëndësi të posaçme i kishte kushtuar sigurimit dhe angazhimit me kohë të këngëtarëve dhe grupit muzikor , të cilët do të përkujdeseshin për argëtimin dhe disponimin sa më të mirë të mysafirëve të tij dasmorë !
Për këtë qëllim, ai kishte angazhuar yjet e dëshmuara të këngës tradicionale popullore shqiptare, motrat: Sahide , Safete dhe Luljeta Mustafa, këngëtare këto që janë të njohura në mbarë nën-qiellin shqiptar me posedim të një tradite dhe kulture universale të artit të mirëfilltë tradicional shqiptar .
Këto motra artiste të mirënjohura për kultivimin besnik dhe ruajtjen e vlerave të këngës popullore shqiptare , në koordinim me anëtarët e orkestrinës së tyre, me pëlqimin dhe përkrahjen e pa rezervë të bashkëshortëve të tyre , kishin marrë një vendim të formës së prerë: që njëherë e përgjithmonë t’iu thonë “STOP” fenomenit të ashtuquajtur “Urimet dhe përshëndetjet e dasmorëve tanë”, si dhe njëherë e përgjithmonë t’i thonë “STOP” stilit të muzikës dhe këndimit me prejardhje rome, të quajtur “TALLAVA”, stil ky, që viteve të fundit i ka ngulfatur këngët dhe vlerat e mirëfillta të traditës muzikore shqiptare!
Motrat MUSTAFA dhe anëtarët e grupit të tyre muzikor, që me kohë e kishin bërë traditë, që gjatë negociatave me ofertuesit e tyre lidhur me marrëveshjen për muzikim në dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, kushti i parë i tyre ishte që dasmorët të mos iu kërkojnë këngë dhe muzikë të stilit “TALLAVA” dhe që dasmorët të mos i bezdisin ato me kërkesa të “urimeve dhe përshëndetjeve”!
Këto kushte dhe kërkesa të motrave MUSTAFA, me kënaqësinë më të madhe i kishte mirëpritur dhe përqafuar edhe Zoti i dasmës, Vahid Nasufi nga Kërçova .
Që në hapje të programit muzikor të dasmës, motrat Mustafa , po sa ia uruan përzemërsisht dasmën Zotit të shtëpisë dhe iu uruan mirëseardhje të gjithë mysafirëve dasmorë, menjëherë iu drejtuan mysafirëve publikisht se ato në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë kërkesa për këngët “Tallava” e as “urime e përshëndetje të dasmorëve tanë”!
Dasmorët e pranishëm pak si me habi, i mirëpritën këto kërkesa të këtyre këngëtareve të spikatura, duke shprehur në veti habinë se gjoja , këto MOTRA, nuk po i duakanë paratë dhe “bakshishet”?!
Motrat MUSTAFA, ia morën këngës duke shkëlqyer si yje të vërteta në skenë, para dasmorëve. Ato gjatë tërë mbrëmjes sa zgjati ahengu i kësaj dasme, asnjëherë nuk dolën nga binaret e këngës dhe muzikës së mirëfilltë tradicionale shqiptare .
Bukurinë dhe shijen e vërtetë të këngës, edhe më tepër ia shtonin qëndrimet e tyre modeste, buzëqeshjet dhe disponimi kulmor para dasmorëve të pranishëm, të cilët çdo këngë të tyre e mirëpriste me duartrokitje frenetike dhe me shoqërim vallëzues .
Këndimit të mrekullueshëm origjinal dhe artistik të Motrave MUSTAFA, iu jepte ngjyrë, shije dhe ëmbëlsirë orkestrina e mrekullueshme profesionale në përbërje të këtyre instrumentistëve: Enver Ibrahimi- klaviatura sintetike , Sefë Kryeziu – saksofonist dhe surlë , Sadat Elashani – kitarist dhe tonist dhe Fadil Stublla – bateri .
Të mrekullueshëm ishin edhe z. Fadil Mareci – bashkëshorti i Sahides dhe Bujar Hoti – bashkëshorti i Safetes, të cilët përkujdeseshin në vazhdimësi për teknikën e zërimit dhe atmosferën sa më të mirë të ahengut në favor të disponimit të dasmorëve dhe familjarëve të dasmorit .
Vlen për t’u theksuar se Motrat MUSTAFA, vijnë prej një çerdheje të bilbilave të këngës shqiptare dhe djepi i trimave legjendar shqiptar, pra nga Mushtishti legjendar . Ato vijnë nga një familje përparimtare, arsimdashëse, artdashëse dhe atdhetare, të cilën e përbëjnë 8 motra dhe 2 vëllezër . Pra, gjithsejtë janë 10 fëmijë të një babe dhe të një nëne.
Bashkëshorti i Sahides, zotëriu Fadil Mareci , i cili ka diplomuar kriminalistikën, lidhur me eliminimin e “Urimeve dhe përshëndetjeve” në dasmat dhe ahengjet familjare, ai thotë:
“Urimet dhe përshëndetjet e dasmorëve”, nuk e rrisin ahengun dhe nuk e shtojnë atmosferën dasmore! Përkundrazi, ato e prishin atmosferën, krijojnë nervozë në mesin e shumë dasmorëve dhe mund të sjellin edhe konflikte të ndryshme në mes të dasmorëve, apo edhe në raportet dasmorë- këngëtarë! “Urimet dhe përshëndetjet e dasmorëve” i obligojnë këngëtarët që të shmangen nga këngët e mirëfillta tradicionale dhe t’ i fusin në përdorim këngët me vlera të dyshimta, madje edhe aso të stilit “Tallava”!
Unë, mendoj se aplikimi i formës së “Urimeve dhe përshëndetjeve” në dasmat dhe ahengjet popullore, nuk i kontribuon askujt, e aq më tepër dasmorëve, apo pronarëve të dasmave, nga se forma e “urimeve” të tilla i takon një shtrese të primitivizmit dhe të stilit të kafeneve klasike ! Unë, apeloj tek të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe organizojnë dasma e ahengje të ndryshme familjare, që njëherë e përgjithmonë t’ i flakin nga përdorimi “urimet dhe përshëndetjet e dasmorëve” dhe përdorimin e këngëve të stilit “Tallava”, nga se ato nuk i përkasin kulturës dhe traditës muzikore shqiptare !”
Në fund të kësaj dasme, të gjithë mysafirët e pranishëm dhe familjarët e kësaj dasme të madhe, u ndanë me përqafime të ngrohta vëllazërore, duke bërë fotografi e xhirime të ndryshme me këngëtaret dhe anëtarët e këtij grupi të mrekullueshëm muzikor, në mënyrë që t’ i ruajnë në gji me xhelozi, kujtimet dhe përjetimet më të mira dhe të paharrueshme nga kjo mbrëmje plot këngë, vallëzim, aheng e gëzim!
Le të shpresojmë se shembulli i dasmorit Vahid Nasufi nga Kërçova dhe shembulli i Grupit muzikor të Motrave MUSTAFA, do të iu shërbejë edhe shumë e shumë dasmave e ahengjeve tjera familjare në mbarë trojet etnike shqiptare !
Kërçovë – Gjilan, më 29 Korrik 2009. Demir KRASNIQI
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen