Donnerstag, 1. Januar 2009
NGA FOLKLORI YNË MUZIKOR
Nga folklori ynë muzikor:
SHPËRNGULJET E SHQIPTARËVE NË KËNGËT TONA POPULLORE
Dhuna , përndjekjet , shpërnguljet dhe gjenocidi serbo- malazezë, mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur etnike shqiptare, nuk kanë pushuar asnjëherë gjatë shekujve të kaluar, për të mos pushuar as sot e gjithë ditën.
Këto ngjarje të rënda dhe të përgjakshme , kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar, por të gjitha këto ngjarje tragjike, kurrë nuk janë harruar as nga gjeniu i ynë krijues muzikor, i cili ndonëse i pa liri dhe i pa shkollë, ka ditur që me një mjeshtri të rrallë krijuese, t’ i shënojë këto ngjarje në mënyrë kronologjike, t’ i këndojë ato brez pas brezi dhe t’ i ruaj me besnikëri dhe origjinalitet deri në ditët e sotme.
Ndonëse, shpërngulje, dhunë dhe gjakderdhje të shkaktuara nga regjimet e egra të barbarisë serbo-malazeze, mbi popullatën etnike shqiptare, ka pasur në përmasa të mëdha gjenocidale, edhe krijuesit tanë popullor, janë mundua që t’ i shënojnë, t’ i këndojnë dhe t’ i ruajnë të gjitha. Por, vetëm gjatë shekullit XIX dhe XX, populli shqiptar i përjetoi tri shpërngulje masive nga trojet e veta etnike, të cilat u shënuan me dhunë të pa parë, vrasje e persekutime me përmasa tragjike, të cilat bota e civilizuar nuk ka pasur rast që t’ i shohë askund tjetër mbi rruzullin tokësor !
Shpërnguljet e para masive të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, fillojnë që nga viti 1875 – 1878, për të vazhduar më pas, në mënyrë zingjirore me elaborate dhe konventa të planifikuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
Në vitin 1878, pra në prag të mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pushteti serbë i atëhershëm, me dhunë dhe aksione të përgjakshme, i përzuri nga trojet e veta etnike mbi 780 copë fshatra shqiptare , nga Sanxhaku i Nishit, Leskovcit, Kurshumlisë dhe Jabllanicës.
Shqiptarët e përndjekur nga ato anë, quheshin “muhaxhirë” , që në gjuhën turqishte do të thotë:”ardhacakë”!
Në gjurmimet tona të vazhdueshme , në fushën e folklorit burimor shqiptar, kemi arritur që t’ i shënojmë vetëm disa këngë të këtij lloji, prej të cilave duket se në mënyrën më reale dhe besnike, kësaj ngjarje i këndon varianti i këngës, të cilën po ua sjellim lexuesve në vazhdim:
1. KANGA E MUHAXHERËVE
O, për shqiptarët, o, haj medet-e,
O, gjithmonë desin, o, për gazep-e!
O, naj noq shkau, o, pej venit t’ vet-e,
O, po naj vret, o, e po naj pret-e...
O, pej Beligradit, o , deri n’ Kik-e,
O, po naj pret , o, shkau me thik-e!
O, pej Surdullit , teri n’ Kurshumli –e,
O, po shkon gjaki , o, sikur shi-e!
O, se pej Nishit , teri n’ Sitili –e,
O, po shkon gjaki , o, sikur prrue.
O, pej Leskocit e teri n’ Vrajë-e,
O, poj therrë shkavi, o, e poj vran-e!
O, pleq e thmi, o, bini shahadet-e,
O, se shqiptarët , o, maruen krejt-e!
O, Zoti i qoftë,o , krejt në xhenet-e,
O, Zoti na pjektë, o, me ta n’ ahiret-e !
O, nam po banë, o, qajo Serbi-e,
O, poj çon para, o, me singi-e,
O, tanë tu i myt-e, o, tu i shpërthye,
O, keq maroj, o, kjo shqiptari-e !
O, po therrë thmi, e , o po pret plqe-e,
O, kush s’ ka ba, o, n’ dynja ma keq-e!
O, po prenë burra, o , po prenë gra-e,
O, ksi adaleti, o, kush n’ dynja s’ ka ba-e!
O, çka po banë,o , qajo Serbi-e,
O, n’ dynja, kush s’ka ba ma zi-e !
O, n’ dynja kush s’ ka pa me sy-e ,
O, nanave – thminë n’ bark ty jav shpërthy-e!
O, nanave n’ bark – o , thminë me jav nxjerr-e,
O, veç Serbija e banë kit tmerr-e!
O, veç Serbija kit tmerr e ban-e,
O, gjallë shqiptarët nuk don mej lan-e!
O, kshtu po ban, o, qajo Serbi-e,
O, mirë e dinë, o, qata krajli-e !
O, Serbisë – krajlat , o, poj nimojn-e,
O, na shqiptarët, o, krejt po marojm-e!
O, çka kanë bjeshkët, o bre, qi ushtojn-e?
O, muhaxherët , o bre, kah po shkojn-e!
O, kanë lanë gja e kanë lanë gjallni-e,
O, kanë lanë tokë , oh, bre, kanë lanë shpi-e,
O, kanë lanë vorbën n’ oxhak tuj zije !...
O, se pej shpije, o, bre, kur o janë dal-e,
O, gja me veti, o, sun kan marr-e !
O, veç nër sjetulla, o çka kanë shti-e,
O, kryet ma mas s’ kanë guxue me kthye !
O, para singijave o mi kanë çue ,
O, n’ bjeshkë t’ pa njohshme , o, mi kanë shti-e!
O, nuk dinë t’ shkretit, oh, kah me tfillue ,
O, kanë hup udhën, s’ dinë kah me shkue!
O, haj medet , për këta muhaxheri-e,
O, deshë e dathë, o, ty u mërdhi-e,
O, bukë pa hangër, o, ujë pa pi-e,
O, desin n’ borë, t’ shkretit, desin n’ shi-e !
O, për muhaxherët, o , haj medet-e,
O, si korrilat , o, n’ mjegull, o, kanë met-e,
O, s’ ju del Zot, as qaj baba mret-e,
O, pa Zot, metën shqiptarët e shkret-e!
O, çka kanë bjeshkët, o qi , o, ushtojn-e?
O, muhaxherët, oh, bre, s’ dinë kah shkojn-e!
O, njani – tjetrit, o , za poj bajn-e,
O, po ma thirrin, o, shoqi – shojn-e!
O, çka kanë bjeshkët, o, qi ushtojn-e?
Oh, muhaxherët, o bre, po vajtojn-e!
Oh, poj vajtojnë ata qi kanë dek-e,
O, po e kajnë vetën, o, qi gjallë kanë met-e!
O, pej se janë dalë, o , pej t’ zezës shpi-e,
O, bukë s’ kanë ngranë, o, as ujë s’ kanë pi-e!
O, n’ kto bjeshkë t’ shkreta tuj u farue,
O, s’ dinë as vet, o, kah janë tuj shkue?!
O, ditë e natë, o, në borë e n’ shi-e,
O, nanave – thmija n’ gji ju kanë ngri-e!
O, s’ kemi za, o bre, me vajtue,
O, s’ kem takat, o t’ gjalltë n’ kamë mej çue!
O, s’ kemi krah, o , të ligtit mej bajt-e,
O, nuk ka kush, o, n’ prehen mej majt-e!
O, shumë po desin e na kanë dek-e,
O, s’ kemi ujë – xhenazet, o , mej lajt-e,
O, s’ kemi kaci – vorret mej marue ,
O, s’ kemi xhematë, o, n’ vorre mej lshue,
O, s’ kemi drrasa, nuk kemi çefin-e,
O, se ka tre, o ne ni vorr poj shtin-e!
O, ka tre vetë, o, ne ni vorr i kem lshue,
O, se me borë, o, i kemi mlue !
O, shumë na metën , o, n’ dhe pa i shti-e,
O, krejt poj hajnë , o , korbat e zi-e!
O, sheh Islami, o, fjalë, o , ka çue –
O, muhaxherët, o , po desin krejt-e !
O, kush ka dinë , qi bjen shahadet-e,
O, për muhaxherët, o, bani gajret-e!
O, kush ka dinë, o, qi asht insan-e,
O, për muhaxherët, o, gajret le t’ ban-e,
O, muahxherëve, konak ju ban-e !
O, konak ju banë, o, i shtin mren-e,
O, mrena i shtin, o, ju kallë zjerm-e,
O, ju kallë zjerm, o, trupin ta shkrijn-e,
O, ju jep bukë, o, barkun ta ngijn-e!
O, ta shkrijnë trupin, o, e ta nxejn-e,
O, ju shtron mirë, o, rahat le t’ flejn-e!
O, ju shtron mirë, o, le t’ flejnë rahat-e,
O, ni troh gjumë, o rahat ta bajn-e,
O, ju vlon ujë, o, trupin ta lajn-e!
O, se ju çon , o , Zoti n’ xhenet-e,
O, se jav kthen, o , Zoti n’ ahiret-e!
O, pej se kanë dalë, o, pej t’ zezës shpi-e,
O, bukë s’ kanë hangër, o, ujë s’ kanë pi-e!
O, pej se kanë dalë, pej vatanit t’ vet-e,
O, trupin , t’ mjerët, kurrë se kanë nxe-e!
O, sheh Islami, o, fjalë ka çue –
O, muhaxherët, o, n’ kangë mej vnue,
O, n’ kangë mej vnue e shumë mej knue,
O, shumë mej knue e shumë mej vajtue,
O, mej vajtue , o, shumë mej lotue,
O, hjekat e tyne, o, mos mej harrue,
O, hjekat e tyne, o, s’ muj mej kallxue,
O, as mejteplija s’ munet mej shkrue!
O, telegram, o, pej babës dovlet-e:
“O, arnaut, o, ju qindroni vet-e!
O, sikur n’ dashit, unë, me ju nimue,
O, për Turki, ju duhet me u shkrue!
O, hajde e dilni, o, ju në Turki-e,
O, ju jep tokë, baba, ju jep shpi-e,
O, ju çon baba, n’ Anadolli-e,
O, jav blenë baba, ka ni penë kije,
O, n’ Ajllak, baba, ka me ju shti-e!”
O, krejt dynjaja, o, po bajnë seri –
O, pa vatan, met kjo shqiptari-e,
O, as nji krajl s’i ka nimue,
O, kurrë n’ dynja, s’ kish pasë mik i mjeri!
*****
Këtë këngë e ka kënduar Hanumshahe Krasniqi – Kastrati, e lindur më 1910 , në fshatin Dajkoc, komuna e Kamenicës. Nuk ka ditur shkrim-lexim, as gjuhë të huaj.
Babai i saj, Asllan Krasniqi , ka qenë i internuar në Burgun e Shkupit, në Kala. Prej vitit 1912 – 1919, ka qenë kaçak.
Shumë herë ka qenë i torturuar, si nga turqit, ashtu edhe nga serbët e bullgarët. Jetën e ka shpëtuar duke shitur tokë dhe bagëti për t’ i paguar terroristët.
Këngën nga goja e nënës së vet, Hanumshahes, e ka shënuar biri i saj: Adem Kastrati, me profesion:piktor, nga Karaqeva e Epër, më 1971, i cili një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Shkup, ku edhe ka vdekur.
Këngën ia ka dhënë amanet, këngëtarit Demir Krasniqi, që ta ruaj, ta këndojë dhe ta publikojë gjithandej trojeve dhe krahinave shqiptare.
Demir KRASNIQI
Elaborati i Serbisë, për shpërnguljen e popullatës shqiptare nga trojet e tyre etnike, nuk kishte të ndalur. Ajo, përmes një konvente të fshehtë me shtetin e Turqisë, vazhdon që t’ i shpërngulë shqiptarët për në Turqi, gjithnjë nën parullën se ata janë “turqë” dhe se ata që nuk duan të shpërngulen, do të detyrohen që ta ndërrojnë fenë e të bëhen serbë !
Nga kjo trysni e vazhdueshme, mbi 300.000 familje shqiptare janë shpërngulur në Turqi. Edhe për këtë plagë të rëndë e të pa shërueshme, gjeniu ynë popullor diti të thurë e të këndojë shumë këngë rrëqethëse, për t’ ua kaluar brezave të rinj dhe për t’ iu treguar atyre se çka janë shpërnguljet, çka është dheu i huaj dhe sa peshon vendlindja jonë!
Nga cikli i këngëve që iu kushtohen shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi, për lexuesit tanë të nderuar, kemi zgjedhur vetëm dy, për të cilat mendojmë se do ta përshkruajnë mjaftë origjinal jetën e shqiptarëve në Turqi dhe mallin e tyre ndaj vendlindjes e atdheut!
2. KANGA E MIXHËS AHMET
A po ngoni, more vllazni-e,
Ju shqiptarë – kosovali-e,
Faqebardhë – musteqezi-e,
Qet kangë du me vnue n’ ujdi-e,
Veq s’ po m’ shkon pa çiteli-e:
-Jam ba i mjeri , o, gyrbetxhi-e,
Shita tokë e shita shpi-e,
Shita dhenë e shita dhi-e,
Shita mal, shita mulli-e,
Lash vllazni e kushëri-e,
I lash sebepe e miqasi-e,
Lash katunin me gjithë nahi-e,
U çova erdha unë, në Turki-e!
Qe tri vjet n’ Turki jam dal-e,
Kërkun punë s’ mujta me marr-e!
M’ ka dekë nana e m’ diq ni djal-e,
S’ pat n’ xhenaze kush me m’ ardh-e!
Kam kujtue se rrnoj n’ Stamoll-e,
E m’ rrou dreqi në Anadoll-e!
Në ni tokë jam hi çipçi-e,
Mjell duhan e shti n’ vargji-e,
Po punojmë me gra e thmi-e,
Natë e ditë si asht ma zi-e!
Me ju dhimtë gurit e drunit,
Na u ka prrekë barku prej unit!
N’ kolibë lloçi jemi tuj rrnue,
S’ kemi magje me gatue,
S’ ka mulli se ku me blue,
Me ujë shiu jem tuj gjallnue,
Pi ka i pikë kur jam shtrëngue,
Si me kanë ujë i Abu Zem – Zemit,
E jo ma llom i xhehenemit!
-Nuk kam knues, n’ sabah me m’ knue,
Nuk kam gja me bajtë dru-e,
Me bajtë dru e me bajtë uj-e,
Qilloj larg e n’ shpinë s’ po muj-e!
Çika e re – s’ guxon me shkue,
Grueja plakë – s’ munet me pru-e!
Jemi ba si qymyrxhija,
Përlye t’ mdhajtë e përlye thmija!
More vllazën, besë t’um zeni,
Ujë me la kërkun nuk kemi!
Jo, s’ kam desh, nuk kam ogiça,
Nuk kam delme, nuk kam kingja,
Nuk kam lopë, as nuk kam kije,
Se ma kali, s’ ka as n’ nahije!
Nuk kam qen me m’ lehë në der-e,
Veç ni dhi jem tuj e mjel-e,
E fatkeqja ka nisë me shterr-e!
Na shkriu zhegi, more vllazni-e,
S’ kun lis, nër hije t’ rri-e!
Na ka rrokë kjo malari-e,
S’ ka ilaçë n’ krejt këtë nahije,
Për me dekë te tanë jemi shtri-e,
N’ këto shkretina të Anadollit,
He, u raftë bumja e atomit!
T’ ishim vetëm, s’ pe kam dert-e,
Shumë shokë t’ mi janë n’ kit siklet-e!
Shpesh po mblidhem e pe bajmë dert-e:
Na shkuen thmija e maruem vet-e!
I kujtojmë fjalët e Mixhës Ahmet-e:
“Guri hjek ranë n’ ven të vet-e,
Po duel prej venit – vjen ma leht-e!”
Qysh duel qashtu, he haj medet-e!
N’ gjynah t’ madh paskemi sharrue ,
Tash po lypet me e pague,
Deri n’ shpirt, o, me u përvlue!
M’ ka marrë malli për Mixhën Ahmet,
Sod për s’ gjalli, po i knoj rahmet-e!
Na vrau ahti i t’ parëve tan-e,
Nanë - Kosova, qi e kemi lan-e!
Kur m’ kujtohet veni i jon-e,
Mentë prej krejes me m’ luejt po don-e!
Hija e babës, po m’ del përpara,
M’ del krejt shpija, e m’ del ara,
M’ del livadhi e m’ del torishta,
M’ del ogiçi me gjithë kingja!
Gurtë e lisat po m’ dalin para,
M’ dalin dajët e m’ del kumara,
M’ dalin shokët e m’ del krejt fisi,
T’ madhe vajit atëherë ja krisi!
Tash , selam ju çoj , more vllazni-e,
Bytym marë, juve, shpi për shpi-e,
Shka m’ gjet mue, mos t’ gjett ty-e,
Ishalla shumë, o, n’ gjynah s’ ke hi-e!
*****
Kjo këngë popullore (që nuk i dihet autori) gjendet e botuar në revistën :”Jeta e Re”, Nr. 4/1958, faqe 511-512, në Prishtinë.
Po të njëjtën, e ka botuar edhe këngëtari legjendar Qamili i Vogël – Muhaxhiri, në librin e tij:”Tre hasjanë”-Prishtinë, Janar 1963.
3. PËR VLLAZNI JAM PËRMALLUE
Ngoni vllazën, ju n’ dashi me ngue,
Krejt t’ vërteta due me ju knue,
Ngoni mirë, pra, i madh e i vogël,
Se po m’ rrjedhin lot’t si gogël .
Unë ni kangë po due me knue,
Për vllazni jam përmallue,
Kur m’ bjen n’ men qysh kem kalue,
Në Jallaqë qysh kem jetue!
N’ kodra t’ nalta prruem – prrue,
Shumë kem hjekë, shumë jem munue,
N’ shpija t’ vjetra shpatum – shpat,
N’ llama t’ gazit natë për natë .
Te mullini kur shkojshum me blue,
Tre sahat kemi udhtue,
Nëpër akull, n’ shi e n’ borë,
Bluejshum n’ mokna , drithë me dorë !
Rrugë nuk kishte n’ at shpat mali,
Bajshum n’ krah , rrallëherë me kali!
S’ kishte shkollë ngat për me msue,
N’ rekë t’ Meshinës, u dashke me shkue !
N’ rekë t’ Meshinës, te xhamia,
Me gzim shkojshum burrat e thmija !
Kem rrnue mirë me shumë sevda ,
Rrijshum bashkë, kurrë s’ jemi da !
N’ at Malësi , që i thonë Gollak ,
Tana t’ mirat i kem pas bollak .
Shumë zabele e shumë livadhe ,
Ara t’ bukës e pemë gjithë fare .
Dhenë e lopë shumë n’ ato vjet ,
Çilerët mushun plot bylmet .
Hahej buka me lezet ,
Qitshum trejte netë për net...
Si e ka pas adet Malësia ,
T’ ejtum – t’ejte qitshum flija .
Vishin miqtë e jabanxhija,
Kriske kanga e çiftelia .
N’ odat tona kishte hijeshi,
Muhabet me shumë sajgi ,
Vishin vllaznit e krejt kojshija,
Lojë e gaz u kënaqshin thmija .
Por për neve s’ ish kanë kismet,
Në Jallaqë gjithmonë me metë!
Jo me dashje, as prej kurumit,
Por prej zorit e prej zullumit !
Na u desht t’ ikim prej katunit,
Veç me pshtue pa dekë pej drunit ,
Për do pushkë që i lypke dushmani –
Na u desht t’ ikim prej vatani !
Se katilat ju kanë kallxue –
Kush t’ rrinë ktu, fenë ka me e nrrue!
Nuk durohen korbat e zi –
Do t’ na hajnë me gra, me thmi !
Janë mledhë burrat, janë kuvenue –
Çka me ba , çka me marue ?!
Kanë venosë n’ Turki me shkue ,
Pej dushmanit diqysh me pshtue !
Në Turki, kur jemi dalë ,
Isha i vogël , s’ kam ditë ni fjalë !
Kur u rrita n’ këtë ven të shkretë –
Mirë e pashë çka na ka gjetë !...
Pse n’ Turki, erdhëm n’ at dimën,
Pse ja kthyem vatanit shpinën,
Kur ke viti pesdhetë e gjashtë ,
Pse kem ikë dashtë e pa dashtë ?!...
I lamë tokat , i lamë shpitë ,
I lamë djepat, ku jemi rritë ,
I lamë hijet , ku kem pushue,
I lamë rrugët , te dajtë kah kem shkue !
I lamë vorret e të parëve ,
I lamë odat e baballarëve ,
I lamë çilerët , krojet e shtallat ,
I lamë gjyshet , ku naj msuen prrallat !...
A po ngoni, ju, o vllazni ,
Ju shqiptarë që shkuet n’ Turki ,
Pej at ditë , n’ Turki qi shkuet –
Zemrat tona naj shkrumuet !
Pej at ditë , qi jemi da –
Zemrat tona , shkrum janë ba .
Nuk dimë gzim n’ dimën, as n’ verë,
Sytë pej lotve , kurrë pa u terë !
Mërzi t’ madhe për juve kemi,
Kur m’ bjen n’ men qi bashkë nuk jemi !
Sa herë t’ bajmë darsma e mledhija –
Vaj e lot na mushet shpija !...
Bijat tona , kur po kajnë -
Gurë e dru në mal poj thajnë !
Vajtojnë bijat për babë e nanë –
Vajtojnë venin, ku e kanë lanë !
Vajtojnë motrat, net për net –
Nuk ka kush me na ba zjaret !
Nuk jem n’ dasma, nuse me marrë ,
S’ kem vllazni, me na marrë n’ t’ parë!
-Mlidhen n’ t’ parë , shoqet e mia ,
Mue fatzezën , m’ plaki vetmia !
Vetun n’ shpi , rri tuj menue ,
Haj medet, kuku për mue !
Qysh me rrnue gjithmonë me mallë,
Qysh me u da njeri për t’ gjallë ,
Shkrumi n’ zemër , po don me m’ kallë,
Pa pas t’ afërm , ni herë me u çmallë ?!
Qofsh mallkue, mori Turki ,
Qysh me m’ da pej prinve t’ mi ?
Qysh me u da n’ darsma e n’ deka ,
Pa m’ pa kush , pa mi ditë kto hjeka ?!
M’ rritet djali me e martue ,
Darsëm baj , po s’ di me u gzue !
Po m’ thrret djali:”Nanë, paja – paja ,
A thue n’ darsum, do t’ na vjen daja ?!”
S’ kam kunata, n’ darsëm me m’ nimue,
Nuk kam bija , nusen me ma knue !
S’ kam kërkan , me ma përhajrue ,
S’ kam vllazni , krushqi mej que !
Nuk kam motra, me dalë me vallzue ,
Nuk kam nipa , në kerr mej que ,
Nuk kam babë , dhanrrin me e shti ,
Nuk kam vlla, me qitë allti !
Nuk kam dajë , me ma ngrehë bajrakun ,
Nuk kam halla, qi ma çplojnë duvakun,
Nuk kem surla , nuk kem tupan ,
Nuk janë darsmat sikur n’ vatan !
Në Turki , na t’ gjithë ku jetojmë –
Venin tonë kurrë se harrojmë !
Dushk e bari, sa ka n’ gjithë dynjanë –
Aq të fala n’ Kosovë, po ju bajmë !
Sa ka deti ujë e zallë –
Për Kosovë, na kemi mallë !
T’ gjithë shqiptarët kudo kofshin –
Bafshin darsma e u gëzofshin !
Djem e çika si lulat u shtofshin ,
Jav dhashtë Zoti e përparofshin ,
Me shumë t’ mira u kujtofshim ,
Kurrë për jetë mos u harrofshim !
*****
Kënga është shënuar në gjuhën lokale të vendit ku edhe është krijuar e kënduar. Pra, në dialektin gegë, ashtu siç flitet në krahinën e Malësisë së Gollakut.
Këngën e ka thurë dhe kënduar Ismajl Shukri Bucaliu, me rastin e vizitës së tij të parë që ia bëri familjes së tij, të gjerë në qytetin Bursa të Turqisë, në vitin 1969.
Familja Bucaliu, nga fshati Jallaqë – komuna e Kamenicës, ishte shpërngulur nga dhuna dhe represioni okupues i pushtetit serbë, në vitin 1958 .
Këngën ( të cilën ia le amanet autori i ndjerë për ta ruajtur, kënduar dhe publikuar), e ka shënuar Demir Krasniqi, në vitin 1998 dhe të njëjtën e ka botua në librin e tij autorial:”Gjakon Kosova”, në Gjilan, më 1998.
Demir KRASNIQI
Shpërnguljet e treta të popullatës shqiptare, nga trojet e veta etnike, do të realizohen në vitin 1999, nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit, i cili për realizimin e këtij elaborati, e vuri në veprim terë arsenalin dhe makinerinë e tij ushtarako-policore. Kështu që populli autokton i Kosovës, duke mos pasur kurrfarë mbrojtje, iu nënshtrua gjenocidit, djegieve, vrasjeve dhe përndjekjeve të dhunshme për në Maqedoni, vende të dyta e të treta, me qëllim të një spastrimi etnik dhe krijimit të një Serbie të pastër etnike.
Duke iu falënderua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, SHBA-ve dhe aleatëve të NATO-së, më 12 Qershor 1999, Kosova njëherë e përgjithmonë çlirohet nga fallangat e regjimit serb, për t’u shpall shtet i pavarur dhe sovran më 17 Shkurt të vitit 2008.
Ndër qindra këngë, që gjeniu ynë popullor ua kushtoi këtyre ngjarjeve, përndjekjeve dhe gjenocidit serbë, mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare, ne për lexuesit tanë të nderuar, zgjodhëm vetëm njërën prej tyre, duke menduar se përmes kësaj kënge, pasqyrohet më së miri shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999.
4. BLLACA E TMERRIT – KAMP I FERRIT
Nëpër shekuj vazhdoi përpjekja –
Mbi shqiptarë t’ bëhej përndjekja ,
Me i përzënë prej trojeve t’ veta ,
N’ Andaoll e n’ vende t’ treta!...
Egërsi forcash barbare –
Mbi çdo gjë që është shqiptare!
Mbi shqiptarët duarthatë –
Bëjnë hakmarrje, bëjnë fushatë!...
Kurrë barbarët s’e ndalen sulmin,
Në muajin Mars, arritën kulmin!
Në muajin Mars, Nëntëdhjetë e Nëntë,
S’ duan shqiptarë n’ Kosovë për t’ lënë!
Marsi i Kuq – Nëntëdhjetë e Nëntë,
Forcat serbe janë çua në këmbë,
Mbi shqiptarë do të bëjnë nam ,
Prej Kosovës me i përzënë !
Forca t’ mëdha me shumë ushtarë,
Milici, paramilitarë...
E kanë skuqë Kosovën n’ gjak –
Mbi shqiptarë duke marrë hak!
Tanke, topa, ushtarë, çetnikë –
Bëjnë me dhunë spastrim etnik!
N’ territoret kosovare –
Duan t’i qesin shqiptarët fare !
Më 24 Mars, Nëntëdhjetë e Nëntë,
Forcat e NATO-së me aeroplanë,
I filluan bombardimet –
Në Kosovë, për t’ i ndalë krimet!...
Mbi Serbi – bomba çdo kund,
Gjenocidit për t’ i dhënë fund !
Në tmerrim u tund Serbia ,
Mbarë ushtria e milicia!...
Pse bënë NATO-ja bombardime –
Mbi shqiptarë sulen me krime !
Pse kërkojnë shqiptarët të drejta –
Me i përndjekë prej trojeve t’ veta!
Marsi i Kuq – ai Mars i shkretë,
Nuk harrohet kurrë për jetë,
Për ata që u dëbuan
Dhe ata që n’ shtëpi qëndruan !
31 Marsi – s’ harrohet kurrë,
Rrjedhin lotët porsi gurrë...
Një lum njerëzish kur i përzunë –
Prej shtëpive i nxorën me dhunë!...
Pleq e plaka dhe fëmijë –
Jo më pak se njëqind mijë!
N’ stacion t’ trenit n’ Prishtinë –
Presin urdhrin për n’ Luginë!...
Presin t’ vijnë trenat e zi –
Me i përcjellë n’ Maqedoni,
Autobusë, kamionë të vjetër ,
Për n’ Shqipëri, a ndo ‘i vend tjetër!...
31 Marsi – një mbrëmje e TERRIT –
Shkojnë shqiptarët në rrugë të TMERRIT!
N’ Luginë t’ lotëve, Luginë t’ FERRIT –
Si n’ Aushfic, n’ regjim t’ HITLERIT!...
N’ Kamp të Bllacës – n’ atë baltë të gjallë,
JETA – VDEKJES i rrinë për ballë!
N’ DASMË T’ MJERIMIT – të rinjtë BASHKOHEN,
Me lot dhembje – KURORËZOHEN!...
Lindin foshnje – jetët sosën,
Hiq pa rite – aty varrosën .
N’ baltë të Bllacës, plot trishtim –
Prehen njerëzit në AMSHIM!
Nga përndjekjet e barbarëve –
Bllaca u bë – FERR I SHQIPTARËVE!
Mbi atë baltë – populli jetonte,
Mbi ta – qielli po lotonte !...
N’ Luginë t’ Bllacës – n’ atë ferr të shkretë,
Nuk do t’ shuhen shpresat për jetë!
Duart drejt Zotit, do t’i shtrijnë –
Vëllezërit në ndihma do t’ ju vijnë !
Ju vijnë në ndihma vëllezërit shqiptarë –
Shkup, Tetovë e Gostivar,
Kumanova, Dibra, Kërçova ,
T’ marrin vëllezërit nga Kosova !
T’ gjithë drejt Bllacës u drejtuan –
Kosovarëve në ndihmë ju shkuan,
Me lot vëllezërish u përqafuan,
Shumë familje i strehuan.
Hapen zemrat dhe shtëpitë ,
Hapen shkollat dhe xhamitë ,
Ju dhanë ujë dhe bukë ju shtruan,
Nga kjo mortje i shpëtuan.
N’ Gostivar e n’ fshat me fshat –
Mbushë shtëpitë me refugjatë .
Pleq e plaka, gra e fëmijë –
U strehuan tetëdhjetë e pesë mijë!...
Ndër shumë fshatra nga Gostivari –
Ky Çegrani, priu ma i pari,
Hapen dyert për strehim,
Pesëdhjetëe pesë mijë gjetën shpëtim!...
Lindin shpresat – bien mërzia ,
Angazhimet nga mjekësia,
Hapen shkollat për mësime,
Dhe kuzhinat për ushqime.
Si në lindje, ashtu në vdekje –
Për shpëtim u bënë përpjekje!
T’ gjitha lindjet, t’ gjitha vdekjet –
Atje u bënë qysh janë adetet!
N’ Gostivar, n’ Teqe t’ Tetovës,
Për dëshmorët e Kosovës –
Mbajtën “Mbrëmje Përkujtimore”,
Iu zien hallve “Përshpirtërore”!
Një lehonë – nuse e Kosovës ,
U vendos n’ spital t’ Tetovës .
Në spital kishte ndërrua jetë,
Por nuk shkoi si nënë e shkretë!
S’ ishte e shkretë, ajo shpirt ngrate –
Në Simnicë, ishte refugjate.
Në Simnicë të Gostivarit –
U varros me nderë t’ shqiptarit.
Humben fëmijë – s’ pushonte vaj,
U nda vajza , prej prindërve t’ saj !
Vajzës së vogël – dyvjeçare ,
Gostivari i bëri çare.
Në familje e strehuan,
Si fëmijë t’ vetin e adaptuan.
Rritet vajza e thotë:”Kam prind,
N’ Gostivar – thotë – unë kam lindë!”
Mediumet i mbajtën lidhjet,
N’ mes familjeve – me familjet!
Ishte e madhe kjo ndihmesë,
Për t’ jetuar ndo ‘i ditë me shpresë!
Për tre muaj, sa këtu qëndruan,
Shumë i këqyrën dhe u munduan.
Gostivari u betuan –
Nuk bënë dasma, as s’ u fejuan!...
Pas shumë vuajtjesh – erdhi KËTHIMI ,
Përqafohen DHEMBJA E GËZIMI,
Për një NDARJE e MIQËSI TË RE,
Për një JETË, që mbeti ATJE!...
Drejt Kosovës, shkrepin sytë –
ATJE , mbeti FAMILJA E DYTË!
Këto familje kurrë s’ harrohen ,
Shkuarje – ardhjet gjithnjë shtohen!
Në çdo djep të kosovarit –
Këndohen ndihmat e Gostivarit,
Këndohen zemrat e bujarisë,
Për gjithë vëllezërit e Maqedonisë,
N’ gjithë ahengjet e shtëpisë,
Dhe në DASMËN E LIRISË,
Gjithmonë së bashku do t’ festojmë ,
Kurrë për jetë nuk ju harrojmë!
*****
Këtë këngë e thuri dhe e këndoi autori:Demir Krasniqi, i cili edhe e publikoi në librin e tij, me titull:”Dritë lirie” në Gjilan, më 2008, faqe 26-32.
Gjilan, më 01.01.2009. Demir KRASNIQI
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen