Ibrahim Ibishi
Ibrahim Ibishi është i lindur në Kremenatë të Gallapit, më 16 dhjetor 1953. Me profesion është mësimdhënës i Gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe mësues klasor. Përpos profesionit të mësimdhënësit ai ka afinitet për krijimtari letrare në zhanre të ndryshme letrare. Ai është poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar.
Ibrahim Ibishi deri më sot ka botuar këto vepra letrare: vëllimin poetik “ Varr në qiell “, botuar në vitin 1995, librin me tregime “ Shiu për kërpudha “, i botuar në vitin 1995, nga RL “ Jeta e re “, në Prishtinë, librin tjetër, po ashtu me tregime, “ Korbat mbi muranë “, e botoi në edicion të SHB “ Rilindja “, në vitin 1996, në Prishtinë, romanin
“ Shtjella e vetmisë “, e botoi SHB “ Rilindja “, në vitin 2000, i cili roman për periudhën kohore, tetor 1999 – tetor 2000, nga SHSH të Kosovës u shpall libri më i mirë i botuar në prozë, romanin “ Trëndafil në varrezë “, e botoi në vitin 2000 në edicion të SHB “ Rozafa “, në Prishtinë, në vitin 2002, në edicion të SHB “ Faik Konica “, në Prishtinë, botoi vëllimin poetik “ Kaçurrelja që vrapon pas erës “ dhe, në vitin 2004, ky autor botoi romanin “ Njerëzit e vjeshtës … “, finansuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, e botuar nga SHB “ Rozafa “, në Prishtinë.
Në vitin 2008 botoi librin me poezi “ Baladë shiu “, finansuar nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës dhe librin me ese dhe shkrime diskursive “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, finansuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Këta dy libra dolën nën edicionin e SHB “ Rozafa “ e Prishtinës. Ndërsa në process të botimit është edhe libri me vjersha e tregime për fëmijë “ Hajni topi dhe peshqit “, në edicion të SHB “ Faik Konica e Prishtinës.
Ibishi ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon edhe sot me shumë revista, gazeta e mediume të shikuara, si: “ Bota e re “, “ Zëri i rinisë “ ( më vonë “ Zëri “ ), “ Rilindja “ ( më vonë “ Bujku “, “ Pionieri “, “ fjala “, “ Jeta e re “, “ GEP – i “, “ Kosovarja “, “ Shkëndija “,“ Bota sot “, “ Koha ditore “, “ Ylliria Post “, “ Lajm “, “ RTK “,“ “ Nositi “, Dardanë “, Jehona “ e Bujanocit, “ Kalendari letrar “, “ Verbi “ e ndonjë tjetër.
Ibrahim Ibishi është po aq i suksesshëm edhe në profesionin e mësimdhënësit. Këtë e ilustron më së miri mirënjohja që iu dha nga Ministria e Arsimit të Kosovës, me rastin e 7 Marsit të vitit shkollor 2007 / 2008 , ku ai radhitet ndër mësimdhënësit më të mirë të Kosovës.
Është njëri ndër bashkëthemeluesit e Klubit Letrar “ Nositi “ të Dardanës ( ish Kamenicë).
Ibrahim Ibishi jeton dhe vepron në Prishtinë.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen