Samstag, 12. September 2009
Sabri KiÇmari dekretohet ambasador ne Austri
Biografia
Dr. Sabri Kiçmari ka lindur më 14 shtator 1967 në Gurash (LLadofc) të Besianës (ish Podjevës). Shkollën fillore e mbaroi në Besianë, kurse atë të mesme në Qendrën Mjekësore „Ali Sokoli“ në Prishtinë. Në moshën 14-vjeçare, për shkak të veprimtarisë së fshehtë në përkrahje të demonstratave të vitit 1981, në tetor të vitit 1981 burgoset nga regjimi i atëhershëm.
Pak pas regjistrimit të studimeve, në shtator të vitit 1988, u detyrua të hedhej në ilegalitet, meqë kërkohej të arrestohej nga regjimi i Beogradit për shkak të veprimtarisë antipushtuese. Në vitet 1988 – 1989 ai udhëheq LPRK, si sekretar organizativ i Komitetit Drejtues (Provizor), së bashku me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Beqir Beqën, Bardhyl Mahmutin etj. Si pjesëtar dhe udhëheqës politik i „Çetës së Llapit“, Sabri Kiçmari merr pjesë në organizimin, planifikimin dhe kryerjen me sukses të një numri demonstratash dhe aktivitetesh tjera kundër pushtuesit në Llap, Drenicë, Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës. Në demonstratën e 30 majit 1989 ai, së bashku me Ali Ajetin dhe shokë të tjerë, ishte një nga organizatorët kryesor, me ç’rast bie heroikisht dëshmori Ali Ajeti, të cilit i gjendet pranë deri në momentet e fundit të rënies së tij. Pas rreth një viti të qëndrimit në ilegalitet, në gusht të vitit 1989, me vendim të Komitetit Drejtues të Lëvizjes largohet jashtë vendit së bashku me bashkëluftëtarët e tij.
Pas vendosjes në Gjermani vazhdon veprimtarinë e tij politike në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK, si sekretar i Nëndegës së LPK për Gjermani dhe së fundi edhe si kryetar i LPK për RFGJ. Në tetor të vitit 1998 emërohet Përfaqësues për Marrëdhënie me Jashtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kurse në prill të vitit 1999 edhe përfaqësues Diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për Austri, detyra të cilat i kryen deri në përfundim të luftës. Në këtë detyrë punon me intesitet të lartë në informimin, përfaqësimin dhe mbrojtjen e fjalës, interesave dhe të drejtave të luftëtarëve të lirisë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës në qindra takime me ministra shtetesh, diplomatë dhe gazetarë.
Pas luftës emërohet për një periudhë të shkurtër kohore këshilltar diplomatik i Kryeministrit të QPK dhe bashkëdrejtues i Departamentit të Pushtetit Lokal në Këshillin Tranzitor tä Kosovës.
Sabri Kiçmari në vitin 1994 i regjistron studimet për shkencë politike, sociologji dhe filozofi në Universitetin e Bochumit (RFGJ). Pas intensifikimit të aktiviteteve diplomatike në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës detyrohet që për dy vite me radhë (1997 – 1999) t’i ndërpresë studimet. Në vitin 2000 kthehet sërish në RFGJ dhe ju përkushtohet studimeve të lëna përgjysmë duke i përfunduar me sukses ato. Më 12 dhjetor 2001 mbron me sukses magjistraturën për filozofi politike në Universitetin e Bonit (RFGJ). Më 12 qershor 2007 mbron me sukses disertacionin po ashtu në Universitetin e Bonit.
Për katër vite me radhë (2001 – 2005) punoi si analist në Institutin për Analizimin e Mediave në Bon. Që nga Marsi i vitit 2006 është ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në tetor të vitit 2006 është emëruar ligjërues dhe prodekan i Fakultetit të Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Kolegjin Universitar „Victory“, kurse tani e kryen edhe detyrën e prorektorit pranë këtij Universiteti.
Ka publikuar një numër të madh artikujsh, punimesh dhe analizash në revistat „Zëri i Kosovës“, „Interesi nacional“, „Zëri“, „Politika dhe shoqëria“, „Studime sociale“, pastaj në të përditshmet „Koha ditore“, „Epoka e re“, „Infopress“ etj. Në mars të vitit 2004 është botuar libri i tij i parë „Drejtpeshimi“ nga Shtëpia Botuese “Koçi“ (Tiranë).
Që nga tetori i vitit 2002 është anëtar i Shoqatës Gjermane për Filozofi, kurse nga fillimi i vitit 2007 anëtar i Institutit të Sociologjisë në Tiranë.
Pas kthimit të tij në Kosovë, në tetor të vitit 2005, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kurse për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 është nominuar kandidat në listën e PDK për Kuvendin e Kosovës.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen