Mittwoch, 4. Februar 2009
E PA BESUESHME POR E VËRTETË
E pa besueshme , por e vërtetë:
ME FAKULTET TË MUZIKËS – NUK DINË T’ I LEXOJNË NOTAT MUZIKORE?!
Shembulli më i mirë , se si mund të merren diplomat e fakulteteve sot, sidomos ato që kanë të bëjnë me profilet e studimeve profesionale , ndër të tjerë , janë edhe kuadrot profesioniste muzikore që kanë dalë nga Shkolla e Muzikës së Gjilanit , e që të njëjtit kanë diplomuar nëpër fakultetet përkatëse profesionale , qoftë në Prishtinë , apo në ndonjë universitet tjetër !
Anomalia më e madhe e këtyre akademikëve profesionist të profileve të ndryshme muzikore , është se shumica prej tyre edhe pse i kanë diplomat përkatëse të specializimeve të ndryshme , ata sot e gjithë ditën nuk dinë që t’ i lexojnë notat muzikore , partiturat dhe literaturën e shkruar muzikore ?!
Raste të këtilla dhe dëshmi të gjalla , më ka rënë që t’ i vërtetoj në disa raste , kur unë personalisht , ua kam ofruar disa partitura me këngë të deshifruara me nota muzikore , për t’ i ekzekutuar ato , qoftë me anë të këndimit notal , qoftë me anë të ekzekutimit instrumental , qoftë edhe gjatë incizimeve nëpër studio , por që asnjëri prej tyre nuk ka qenë në gjendje që t’ i lexojnë notat muzikore , deri sa unë ua kam diktuar dhe pastaj ata i mësonin meloditë përmendësh me anë të veshit , për t’ i kënduar , apo luajtur me instrumente muzikore ?!
Akademistët e këtillë muzikor , jo që nuk dinë t’ i lexojnë notat muzikore , por ata nuk i njohin as të gjitha shkallët muzikore dhe nuk dinë t’ i perceptojnë as ritmet dhe masat e ndryshme muzikore , qofshin ato të rregullta , apo të kombinuara ?!
Ajo që është edhe më e dhembshme për gjeneratat e reja , të cilët janë viktima të këtyre akademistëve , është fakti se shumica prej tyre janë me ditar në dorë dhe luajnë rolin e edukatorëve e pedagogëve muzikor nëpër shkolla të ndryshme !
Akademistët e këtillë profesionistë muzikor , kanë specializuar dhe diplomuar nëpër fakultete të muzikës , duke zhvilluar aktivitete “profesioniste” muzikore , nëpër dasma, ahengje, kafene , restorante e bankete të ndryshme , ku tërë potencialin e tyre teorik , praktik dhe vokal e kanë shkrirë duke e studiuar tregun, muzikën “Tallava” dhe biznesin e egër muzikor !
Merrni me mend , se “profesionistët” dhe “pedagogët” e tillë muzikor, që nga klasa e –II-të fillore, i kanë ndjekur mësimet në shkollën fillore të muzikës 6 vite radhazi , pastaj shkollën e mesme të muzikës 4 vite dhe Akademinë e Muzikës 4 vite, që do të thotë gjithsejtë 14 vjet kanë mësuar muzikën dhe nuk dinë që t’ i lexojnë notat muzikore?!
Për hir të realitetit historik , po theksojmë se Shkolla e Muzikës në Gjilan , është hapur qysh në vitin 1979 dhe ajo sivjet shënon 30 vjetorin e themelimit të saj . Por fatkeqësisht , për 30 vjet punë , kjo shkollë nuk ia doli që të nxjerr nga gjiri i saj , ndonjë specialist të dalluar të muzikës , qoftë si instrumentist , solo këngëtar, dirigjent, kompozitor, etnomuzikolog... me përjashtim të specializimit të muzikantëve dasmorë e ahengxhinj !
Edhe pas 30 vite pune të Shkollës së Muzikës , qyteti i Gjilanit, as sot e kësaj dite nuk e ka orkestrën simfonike , orkestrën kamere , korin e qytetit , por asnjë festival të cilit do zhanër të muzikës së kultivuar artistike ?!
E tërë kjo mangësi profesionale është e lidhur në kontinuitet me Akademinë e Muzikës në Prishtinë, e cila është themeluar që nga viti 1974 , por e vërteta e hidhur është se në të gjitha shkollat e muzikës në Kosovë dhe në vet këtë Akademi, edhe sot e kësaj dite punohet me literaturën profesionale muzikore , të cilat janë botuar në Beograd, Zagreb e gjetiu, literaturë kjo që as nuk u përkthye së paku në gjuhën shqipe?!
Nisur nga këto rrethana , qyteti i Gjilanit për të vetmin manifestim tradicional me karakter shumë kulturor, që e ka njëherë në vit, pra fjala është për manifestimin “Flaka e Janarit”, që sivjet shënoi 18 vjetorin e ekzistimit të tij , është detyruar që të importojë nga jashtë : dirigjent , instrumentistë dhe këngëtarë profesionistë , për t’ i dhënë ngjyrë dhe karakter artistik këtij manifestimi .
Derisa vitin e kaluar u importua Grupi muzikor “Korona” nga Prishtina dhe disa “yje të muzikës pornografike”, sivjet u importua Babai i “Koronistëve” – Fahri Beqiri , si dirigjent i këngëve popullore, bashkë me disa instrumentistë si përforcues dhe mësues të muzikantëve dhe këngëtarëve të Gjilanit ?!
Me importime të këtilla të “profesionistëve të mëdhenj” , pas të cilëve fshihen interesa të ngushta individuale, karrieriste dhe materiale, si gjithmonë më parë , edhe sivjet u nënçmuan, u përbuzën dhe u nëpërkëmbën shumë këngëtarë e instrumentistë të dëshmuar , me të cilët do të mund të mburrej jo vetëm Gjilani !
Të drejtën e prezantimit para publikut vendor , këtyre artistëve , ua uzurpoi “Babai i Koronës”, i cili nuk e lejoi asnjërin prej tyre që të këndojë ndonjë këngë solistike e as të afrohen rreth orkestrinës popullore ?!
Me këtë rast , padrejtësia, injoranca dhe nënçmimi më i madh profesional , pa dyshim se iu bë disa pedagogëve më të dëshmuar profesionistë muzikor , ndër të cilët po i përmendim profesorët e nderuar: Isa Jakupi, Izet Kallaba, Xhevat Ismajli, Zekë Isufi e shumë të tjerë !
Anomalia më e madhe profesionale në mbikëqyrjen artistike të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit-2009” , është e vërteta se “Babai i Koronës”, as që e di fare, se kujt në të vërtetë i dedikohet ky manifestim ?!
Andaj, ky dirigjent i këngës popullore dhe pedagog 75 vjeçar , merr mbi vete edhe përzgjedhjen e repertorit të këngëve popullore, në të cilat futë potpuri me këngë dashurie, këngë dasmore, këngë ahengu qytetar dhe të tjera – tematika e të cilave me asgjë nuk i shkon për shtati idealeve të manifestimit “Flaka e Janarit” ?!
Me veprime të këtilla, gjithnjë e më shumë po përforcohet ndjeshmëria alergjike ndaj zhanrit të këngëve rapsodike, revolucionare dhe patriotike , ku përkundër faktit se manifestimi shumë kulturor “Flaka e Janarit” , zgjatë prej datës 11 e deri më 31 Janar, organizatori i këtij manifestimi eliminoi nga skema programore mbrëmjen me këngë e valle folklorike ?!
“Babai i Koronës” , si dirigjent i këngës popullore dhe pedagog i moshës 75 vjeçare , përveç përfitimeve materiale , gëzon të drejtën morale, që t’ i provokojë , nënçmojë, madje edhe t’i shajë instrumentistët, këngëtarët dhe kolegët e tij (gjithnjë në emër të kulturës), sa herë që ta çeli gojën, madje herë shqip e herë serbisht ?!
Një sharje të tillë nga ana e profesorit , e fitoi si shpërblim edhe autori i këtij artikulli, i cili njëherësh është edhe autor i dyfishtë i himnit të këtij manifestimi, me po të njëjtin titull:”Flaka e Janarit”!
Gjatë një pauze të shkurtër në prova , profesori iu afrua autorit të këngës – himn dhe i tha:
-Duhet t’ ia heqim një strofë kësaj kënge, se po na shkon gjatë !
Autori, me urtësi dhe butësi i tha profesorit:
-Nuk bënë të shkurtohet kënga, nga se do t’ i dëmtoheshin gjymtyrët më vitale të saj dhe do ta humbas kuptimin e destinuar !
Profesori i revoltuar, ia ktheu autorit me një të sharë në gjuhën serbishte:
-Hajde, bre , nemoj da mi pallamudish !(Hajde, bre, mos m’i tollovit k...të!).
Po. Vetëm “Babai i Koronës” e gëzon këtë të drejtë dhe privilegj, nga se pa te dhe “Koronistët” e tij, nuk mund të imagjinohet as organizimi i ndonjë manifestimi, as festivali më të vogël në Kosovë, nga se ai ëndërron që një ditë (para se të shkojë në pension të dhunshëm ), ta shpallë vet –vetin :”Mbret i muzikës së Kosovës!”
Për këtë, edhe i ka siguruar që moti kushtet dhe votat, nga se ai me “kronistët” e tij, i kanë uzurpuar edhe katedrat e akademive muzikore, Radio-Televizionin Publik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës së Kosovës !
Dhe krejt për fund: - Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit -2009”, përfundoi me injoranca, rivalitete dhe struktura paralele të aktiviteteve muzikore, duke i shpërblyer krijuesit e të gjitha lëmenjve tjerë të artit e të kulturës, por jo edhe krijuesit muzikor e as autorin e dyfishtë të himnit “Flaka e Janarit”, për të cilin publiku gjilanas dy herë u ngritë në këmbë i tëri, për ta nderuar himnin dhe autorin e tij !
Gjilan, më 02. 02. 2009. Demir KRASNIQI
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen